Emmanuel Macron tashmë po shikon përpara drejt vitit 2032 për të kandiduar për president për herë të tretë.
Kjo është ajo që raporton "Le Monde", duke pretenduar të interpretojë disa nga deklaratat e presidentit të bëra në disa takime të fundit me mbështetësit e tij.
Të shtunën e kaluar, në një takim me "Të Rinjtë në Marshim" të partisë së tij, presidenti tha - duke iu drejtuar mbështetësve të tij shumë të rinj - se ai "ka nevojë për ta pas dy vjetësh, ose pesë vjetësh, ose dhjetë vjetësh".
Le Monde thekson para së gjithash se ky "takim partie" është i pazakontë për një president jashtë një fushate zgjedhore.
Emmanuel Jean-Michel Federic Macron, lindi në komunën e vogël Amiens, 120 km në veri të Parisit dhe mbaroi studimet për filozofi, marrëdhënie me publikun dhe shkenca politike.
Një anëtar i spikatur i Partisë Socialiste nga viti 2006 deri në vitin 2009, Macron u zgjodh zv/sekretar i përgjithshëm në qeverinë e Francois Hollande në vitin 2012. Në vitin 2014 ai u vendos Ministër i Ekonomisë, Industrisë dhe Çështjeve Dixhitale.
Kjo ishte një nga fushat që ai njihte më mirë pas një pune 4-vjeçare si Inspektor i Financave në Ministrinë franceze të Ekonomisë. Më 6 prill të vitit 2016, Macron themeloi partinë e tij politike të pavarur “En Marche” (Përpara!). Kjo ishte një lëvizje progresiste-liberale. Më 30 gusht të vitit 2016, Macron hoqi dorë nga qeveria për të hyrë në zgjedhjet presidenciale të 2017-s.
Në karrierën e tij politike, Macron është përshkruar nga vëzhguesit si liberalo-social dhe nga të tjerë si social-demokrat. Gjatë qëndresës së tij në Partinë Socialiste franceze, ai mbështeste krahun qendror të partisë.
Përsa i përket ekonomisë, Macron ka qenë avokat i përhershëm i tregut të lirë si dhe ka qenë pro uljes së deficitit të buxhetit publik. (A2 Televizion)