Presidenti francez Emmanuel Macron do të udhëtojë këtë javë në Kinë për vizitën e tij të katërt shtetërore, ndërsa Evropa përpiqet të balancojë kërcënimet ekonomike dhe të sigurisë nga Pekini me varësinë nga ekonomia e dytë më e madhe në botë, në një kohë trazirash globale në tregti.
Në të kaluarën Macron është përpjekur të projektojë një front të fuqishëm europian në përballjen me Kinën, duke u kujdesur njëkohësisht të mosarmiqësojë Pekinin.
Sipas analistëve, qëndrimi gjithnjë e më i vendosur dhe ndikimi në rritje i Kinës po vënë në provë marrëdhëniet tregtare, të sigurisë dhe ato diplomatike.
“Ai duhet t’ia bëjë të qartë lidershipit kinez se Europa do t’i përgjigjet kërcënimeve në rritje nga Pekini, teksa njëkohësisht do të duhet të parandalojë një përshkallëzim të tensioneve që do të çonte në luftë të plotë tregtare dhe prishje diplomatike”, tha analisti kinez Noah Barkin.
Macron, i cili do të nisë udhëtimin e tij me një vizitë në qytetin e ndaluar të Pekinit, do të takohet të enjten me presidentin Xi Jinping në kryeqytet, dhe sërish të premten gjatë një udhëtimi në rajonin jugperëndimor të Chengdu.
Vizita e kreut të Elizesë do te pasohet nga ajo e kryeministrit britanik Keir Starmer dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz në fillim të vitit të ardhshëm. Tensionet tregtare mes Kinës dhe Europës janë rritur pasi eksportet e lira kineze, veçanërisht në sektorin e çelikut, po dëmtojnë industrinë evropiane.
Europa është gjithashtu e shqetësuar për superioritetin teknologjik në rritje të Pekinit në sektorin e makinave elektrike, dhe dominancën në procesimin e mineraleve të rralla. Kjo mund të përbëjë kërcënim për furnizimet për industritë kritike europiane. (A2 Televizion)