Marco Rubio nis turneun në Lindjen e Mesme, mbërrin në Izrael dërgesa me bomba të rënda nga SHBA

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2025, 09:37 | Bota

Marco Rubio nis turneun në Lindjen e Mesme, mbërrin në Izrael

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili mbërriti në Izrael të shtunën në mbrëmje, do të nisë sot turneun e tij të parë në Lindjen e Mesme. Fokusi është në planin e Presidentit Donald Trump për të rivendosur popullsinë palestineze të Rripit të Gazës në vende të tjera dhe për ta rindërtuar atë nën pronësinë e SHBA, raporton A2 CNN.

Në vizitën e tij të parë në rajonin e Lindjes së Mesme si kryediplomati amerikan, Rubio do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e ka lavdëruar planin, por udhëheqësit arabë e kanë refuzuar atë dhe po nxitojnë të paraqesin një kundërpropozim.

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit njoftoi sot se një ngarkesë me bomba "të rënda" të prodhuara nga SHBA mbërriti në Izrael gjatë natës, pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio filloi vizitën e tij të parë në vend, shkruan A2 CNN.

“Një dërgesë me bomba të rënda ajrore të dërguara së fundmi nga qeveria e Shteteve të Bashkuara u mor dhe u shkarkua gjatë natës në Izrael”, tha ministria në një njoftim për shtyp, duke iu referuar bombave MK-84 të autorizuara së fundmi nga administrata e Presidentit Donald Trump. 

Ndërkohë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deri më tani ka ndaluar miratimin për hyrjen e karvanëve dhe pajisjeve të rënda në Rripin e Gazës gjatë konsultimeve për sigurinë të shtunën në mbrëmje. Sipas mediave vendase, arsyeja e refuzimit të kryeministrit izraelit për të miratuar hyrjen e pajisjeve në Rrip është sepse Netanyahu dëshiron të zgjasë fazën e parë aktuale të marrëveshjes përtej 42 ditëve të përcaktuara, të cilat do të përfundojnë më 1 mars, dhe të sigurojë lirinë e më shumë pengjeve si pjesë e fazës së parë, duke përfshirë të tjerë që Izraeli tani i di se janë në gjendje të keqe shëndetësore.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos