
Bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit do të fillojnë në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, më vonë sot. Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se "përfaqësuesit" e tij do të mbërrijnë në Islamabad të hënën në mbrëmje, me zëvendëspresidentin JD Vance që do të kryesojë delegacionin së bashku me Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Por Irani ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht nëse do të marrë pjesë në bisedime. Media shtetërore e vendit raporton se zyrtarët nuk do të marrin pjesë për sa kohë që bllokada amerikane ndaj porteve iraniane mbetet.
Masa të rrepta sigurie janë në kryeqytetin e Pakistanit edhe pse bisedimet e paqes SHBA-Iran janë të pasigurta.
Vizitorëve në hotelin Serena të qytetit, ku u zhvilluan bisedimet e dështuara për paqe më 11 prill, dhe në hotelin Marriott, ku qëndroi delegacioni iranian gjatë këtyre bisedimeve u është thënë të largohen në përgatitje të takimit të sotëm.
Ndërsa policia njoftoi mbylljen e rrugëve kryesore për shkak të mbërritjes së delegacioneve të huaja.
Të gjithë zyrtarëve qeveritarë që veprojnë jashtë Zonës së Kuqe ku ndodhen parlamenti i vendit, Gjykata Supreme, zyrat e larta qeveritare dhe ambasadat e huaja, u është kërkuar të punojnë nga shtëpia. Dhe banorëve të qytetit u është këshilluar të përdorin rrugë alternative.
Armëpushimi dyjavor midis SHBA-së dhe Iranit pritet të përfundojë të mërkurën - me Trump që përsërit kërcënimet për shkatërrimin e infrastrukturës iraniane nëse nuk arrihet një marrëveshje.
(A2 Televizion)