
Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në Shenzhen të Kinës, në prag të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) dhe një takimi historik trepalësh me presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin amerikan Donald Trump.
Avioni i Putinit u ul në Shenzhen pak pas orës 02:00 të mëngjesit, sipas orës lokale, këtë të mërkurë. Kreu i shtetit rus u prit me tapet të kuq nga zyrtari i lartë kinez Cai Qi, ndërsa në ceremoni ishin të pranishëm edhe artistë që valëvitnin flamujt e Kinës dhe Rusisë.
Më vonë gjatë së mërkurës, Putin do të mbajë një fjalim menjëherë pas Xi Jinping dhe do të zhvillojë takime dypalëshe me presidentin kinez, si dhe me liderët e Vietnamit dhe Tajlandës.
Megjithatë, takimi që pritet të tërheqë vëmendjen kryesore do të zhvillohet të enjten, kur Putin, Xi Jinping dhe Donald Trump do të ulen në tryezën e bisedimeve trepalëshe. Takimi mund të mbahet përpara ose pas një takimi të veçantë kokë më kokë mes presidentit rus dhe atij amerikan.
Sipas deklaratave të Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit, bisedimet pritet të përqendrohen te kontrolli i armëve bërthamore dhe siguria ndërkombëtare, përfshirë konfliktet në Ukrainë dhe Iran.
Ndërkohë, Pekini ka qenë më pak konkret lidhur me temat që do të diskutohen. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, e përshkroi takimin si një “shkëmbim pikëpamjesh për mbrojtjen e paqes botërore dhe garantimin e stabilitetit strategjik në marrëdhëniet mes fuqive të mëdha”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi çështjet që do të jenë në tryezën e bisedimeve.
(A2 Televizion)