
Shtëpia e ankandeve Christie’s ka tërhequr në momentet e fundit një pikturë të artistes së njohur meksikane Frida Kahlo, e vlerësuar deri në 3.5 milionë dollarë. Vepra, e titulluar “Congreso de los pueblos por la paz”, është realizuar në vitin 1952 dhe pritej të dilte në ankand gjatë një prej eventeve kryesore të sezonit të artit në Nju Jork.
Vendimi për tërheqjen erdhi pas dyshimeve mbi ligjshmërinë e eksportimit të pikturës nga Meksika dhe paqartësive për origjinën e saj. Sipas kolektivit meksikan “Defendamos la Colección Gelman”, vepra figuron në inventarin e objekteve që Diego Rivera kishte lënë për Muzeun Frida Kahlo, të njohur si Casa Azul, në Meksiko Siti.
Ndërkohë, autoritetet kulturore meksikane pretendojnë se piktura është larguar nga vendi përpara vitit 1984, kur veprat e Frida Kahlo-s u shpallën monumente artistike dhe iu nënshtruan kufizimeve të rrepta për eksportin.
Meksika i ka kërkuar Christie’s dokumentacionin për origjinën dhe pronësinë e veprës. Një zëdhënës i shtëpisë së ankandeve bëri të ditur se, në marrëveshje me shitësin, piktura është tërhequr përkohësisht, në mënyrë që të kryhen verifikime të mëtejshme. Christie’s nuk ka bërë të ditur se kur mund të rikthehet në ankand. (A2 Televizion)