Masakra në Gaza! Ushtria izraelite vret 27 persona në një qendër strehimore

Nga Erjon Dervishi
6 Qershor 2024, 10:19 | Bota

Një masakër e vërtetë ka ndodhur në Gazën qendrore. Ushtria izraelite ka vrarë te paktën 27 persona duke sulmuar nga ajri shkollën, e cila ishte kthyer në një qendër strehimi për banorët e zhvendosur, e që mbikëqyrej nga OKB-ja.

Sipas zyrtarëve të ushtrisë izraelite, sulmi ishte ndërmarrë pasi besohej se atje strehoheshin disa anëtarë të Hamasit. Por përfaqësues të grupit militant i hodhën poshtë pretendimet.

“Ne po flinim kur papritmas pamë një raketë që ra mbi ne, në katin e dytë. Kishte të vdekur dhe në të parën kishte të lënduar. Kjo është gjithçka që pamë. Faleminderit Zotit! Zoti na mjafton. Ai është zgjidhësi më i mirë i punëve tona”, tregon Ebu Zuhri Ebu Daher, dëshmitar në vendngjarje.

Sulmi ndodhi pasi Izraeli njoftoi një ofensivë të re ushtarake në Gazën qendrore, Tel-Avivi ka bërë me dije se luftimet nuk do të ndalen edhe nëse arrihet dakordësia për bisedime për armëpushim.

Autoritete shëndetësore në Gaza kanë raportuar për bombardime intensive dhe organizatat bamirëse bëjnë me dije se vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur rreth 70 persona, shumica gra dhe fëmijë.

Sakaq, Uashingtoni viojn të bëjë presion të madh për të arritur një marrëveshje. Drejtori i CIA-s, William Burns, u takua me zyrtarë të lartë me ndërmjetësit në Katar dhe Egjipt në Doha për të diskutuar propozimin e armëpushimit. Biden ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se armëpushimi është i afërt, por sipas ekspertëve asgjë e re nuk duket në horizont. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos