Më shumë se 100 të burgosura femra u përdhunuan dhe më pas u dogjën të gjalla gjatë një arratisjeje nga burgu në qytetin kongolez Goma. Kjo është bërë e ditur nga Vivian van de Perre, nënkryetare e misionit të OKB-së.
Midis 165 dhe 167 gra u sulmuan nga të burgosurit meshkuj gjatë largimit nga burgu, të hënën e kaluar, thotë një dokument i brendshëm i OKB-së.
Goma, një qytet i madh me më shumë se një milion banorë, u pushtua pasi M23 i mbështetur nga Ruanda nisi një ofensivë të re në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos dhe kapi qytetin minerar Nyabibëe, në provincën e Kivusë Jugore.
Qyteti u zhyt në kaos, me trupa të shtrirë në rrugë dhe raketa që thuhet se fluturonin mbi shtëpi banimi.
Sipas burimeve, në agim grupi i armatosur dhe aleatët e tij ruandas filluan luftime intensive kundër forcave të armatosura kongoleze. Pasi pushtoi Gomën, kryeqytetin e Kivu-së së Veriut, M23 kishte shpallur në mënyrë të njëanshme një armëpushim humanitar me forcat e Ruandës , i cili do të mbetej në fuqi. Sipas një zëdhënësi për Kinshasa, armëpushimi ishte thjesht "një devijim".
Ekipet e Mjekëve pa Kufij (MSF) kanë zgjeruar ndihmën mjekësore dhe humanitare për popullsinë e Gomës dhe disa kampe për njerëzit e zhvendosur në të gjithë qytetin. Përveç forcimit të mbështetjes për spitalet e Kyeshero-s, ku kanë mbërritur 404 të plagosur që nga fillimi i luftimeve dhe Virunga, MSF po punon në disa zona ku njerëzit janë të zhvendosur dhe rastet e kolerës janë në rritje.
"Shumica e spitaleve po shohin të plagosur të rinj. Nuk janë vetëm njerëz që janë plagosur kohët e fundit, por edhe ata që janë fshehur ose kanë ngecur në zona të paarritshme," thotë Stephan Goetghebuer, menaxher i programit të MSF në Kivu-në e Veriut.
"Shumica e spitaleve janë të mbingarkuar, veçanërisht spitalet Virunga dhe Kyeshero janë plot me pacientë. Në spitalin Virunga, të mbështetur nga MSF, janë 100 pacientë me plagë nga armë zjarri dhe tre njësi kirurgjikale po punojnë 24 orë pa ndalur. Është një situatë e rëndë."
MSF po siguron gjithashtu ushqim, ujë të pijshëm dhe përmirëson higjienën dhe aksesin në kujdesin shëndetësor në disa zona të zhvendosura. Një nga shqetësimet kryesore është shtimi i rasteve të kolerës: qasja në ujë është ndërprerë prej ditësh, trupat e pajetë shtrihen në rrugë dhe sëmundjet që vijnë nga uji përbëjnë një kërcënim real.
(A2 Televizion)