Dymbëdhjetë persona u vranë, përfshirë pesë fëmijë, në një sulm me dron gjatë natës të së shtunës në një kamp pushimi në një pjesë të kontrolluar nga Rusia në rajonin Zaporizhzhia të Ukrainës.
Lajmin e kanë bërë me dije autoritetet lokale të instaluara nga Rusia, duke akuzuar Ukrainën për sulm të qëllimshëm ndaj civilëve. Kiev nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina mohojnë se kanë synuar civilët në luftën e nisur nga pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë në shkurt 2022.
Nëntëmbëdhjetë persona u plagosën në sulmin në zonën turistike të Kyrylivka, e vendosur në bregdetin e Detit Azov pranë qytetit të Melitopol, tha guvernatori i emëruar nga Rusia, Yevgeny Balitsky.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se dronët ukrainas kryen sulmin ndaj "njerëzve që flinin" në kamp. Ajo denoncoi "krime çnjerëzore", duke iu referuar gjithashtu një sulmi ndaj një fabrike në rajonin Kirov të Rusisë të enjten, i cili vrau gjashtë persona.
Një video e postuar në internet e cila tregon kampin e pushimit duken ndërtesa të shkatërruara, makina të djegura dhe një grumbull rrënojash pranë një pishine.
Balitsky tha se ekipet nga Ministria e Emergjencave e Rusisë kishin nxjerrë dy të mbijetuar, përfshirë një fëmijë, dhe kishin nxjerrë një trup tjetër nga rrënojat. Ai shtoi se operacionet e shpëtimit kishin përfunduar. "Armiku pa dhe kuptoi se kë po synonte", tha ai në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Balitsky tha se autoritetet në Kiev "po injoronin çdo normë morale dhe po shkatërronin qëllimisht popullsinë civile - të rritur dhe fëmijë".
Komiteti Hetues i Rusisë hapi një çështje terrorizmi në përgjigje të sulmit.
Një duzinë raketash balistike goditën Kievin pak pas mesnatës. Raportet fillestare tregojnë se të paktën dy bomba goditën qendrën e qytetit. Janë raportuar zjarre dhe dëme materiale në lagje.
Rusët përdorën armë tokë-ajër Iskander M dhe S400 të shndërruara në bomba fluturuese. Ka frikë se kjo është vetëm vala e parë e një bastisjeje që do të vazhdojë deri natën. Popullsia e kryeqytetit është dyndur drejt stacioneve të metrosë. (A2 Televizion)