Atird Hoxha, nga Kryesia e Partisë Demokratike, deklaroi se duhet një aleancë e gjerë për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama.
“Mendoj që Rama do të qëndrojë fort në rrugëtimin e tij. Do u bëjë presion të tijëve, do bëjë disa ndryshime në shtator apo tetor, por kjo nuk ka rëndësi pasi protesta vazhdon dhe ka kërkesë kryesore largimin e Ramës. Pra, mundësitë janë largimi i Ramës dhe formimi i një qeverie kujdestare apo teknike siç e kërkon protesta. Këtu mund të hyjë në lojë negociata midis protestës dhe mazhorancës në Parlament. Në fund fare do të shkohet në Parlament për t’u votuar ajo qeveria teknike ose kujdestare”, tha fillimisht Hoxha në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.
“Siç e shikoj unë, duhet një aleancë e gjerë për të qenë të gjithë përballë Ramës, sepse Rama me sistemin që ka ngritur është e pamundur gati që të rrëzohet. Duhet aleancë e gjerë mes partive të vogla, PD-së, qytetarëve të thjeshtë, rinisë, socialistëve të thjeshtë”, shtoi Atird Hoxha. (A2 Televizion)