
Numri i të vdekurve nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut që goditën Sumatrën në Indonezi, është rritur në 631, me një milion njerëz të evakuuar dhe ekipet e shpëtimit që ende po luftojnë për të arritur në zonat e prekura.
Agjencitë qeveritare dhe organizatat humanitare po nxitojnë të shpërndajnë ndihmë për njerëzit e prekur, ndërsa ekipet e shpëtimit po kërkojnë 472 persona që ende llogariten të zhdukur, raporton A2 CNN.
Përmbytjet, të cilat u shkaktuan nga një ciklon i rrallë që ishte formuar mbi ngushticën e Malakës, kanë goditur tre provinca dhe kanë prekur rreth 1.5 milion njerëz, sipas agjencisë qeveritare të fatkeqësive.
500 persona të tjerë mbeten të zhdukur, ndërsa mijëra të tjerë janë plagosur, shkruan A2 CNN.
Indonezia është vetëm një pjesë e Azisë që është goditur nga shira të rrëmbyeshëm dhe stuhi në ditët e fundit, me Tajlandën, Malajzinë dhe Sri Lankën që gjithashtu raportojnë vdekje.
Në të gjithë Azinë Jugore dhe Juglindore, rreth 1,100 persona kanë humbur jetën javën e fundit nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut. Në Sri Lanka, rreth 355 persona humbën jetën, ndërsa në Tajlandë numri i të vdekurve ka arritur të paktën 176. (A2 Televizion)