Rriten tensionet! NATO kërkon veprime më agresive ndaj Moskës, Putin bën thirrje për të vazhduar luftën

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2025, 07:06 | Bota

Rriten tensionet! NATO kërkon veprime më agresive ndaj Moskës,

Tensionet mes NATO-s dhe Rusisë janë rritur ndjeshëm, ndërsa Aleanca po shqyrton një qëndrim më “agresiv” përballë veprimeve hibride të Moskës, përfshirë sulme kibernetike, sabotime dhe shkelje të hapësirës ajrore. Në një intervistë për Financial Times, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, konfirmoi se po analizohen opsione të reja veprimi. Ai tha se Aleanca duhet të shqyrtojë mundësinë e një qasjeje më proaktive në fushën kibernetike, duke theksuar sfidat ligjore dhe etike që e dallojnë NATO-n nga Rusia, raporton A2 CNN.

Debati është veçanërisht i ashpër mes vendeve të krahut lindor, që kërkojnë masa më të forta pas incidenteve të përsëritura, si rrëzimi i dronëve rusë në Poloni dhe shfaqja e 57 balonave të dyshuara në hapësirën ajrore të Lituanisë.

Komentet e Cavo Dragone shkaktuan kritika të ashpra nga Moska. Zëdhënësja Maria Zakharova e quajti deklaratën të papërgjegjshme dhe nxitëse të përshkallëzimit.

"Ne besojmë se deklarata e Cavo Dragone mbi sulmet e mundshme parandaluese kundër Rusisë është një hap jashtëzakonisht i papërgjegjshëm, i cili tregon gatishmërinë e aleancës për të vazhduar të lëvizë drejt përshkallëzimit", u shpreh me keqardhje zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, shkruan A2 CNN.

Në terrenin e luftës, Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi një qendër komande dhe u bëri thirrje trupave të përgatiten për luftime gjatë dimrit, duke përgëzuar marrjen e Pokrovsk dhe Volchansk.

Ndërsa Kremlini njoftoi gjithashtu nisjen e operacioneve për “çlirimin” e Hulyaypole.

Në Europë, thirrjet për përgjegjësi dhe jo provokim u përsëritën nga disa aktorë politikë, ndërsa ministri i jashtëm italian Antonio Tajani kërkoi shmangien e polemikave. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi për një javë vendimtare në diplomaci, duke theksuar nevojën për më shumë presion mbi Rusinë dhe jo mbi Ukrainën. Ministrat e Jashtëm të NATO-s pritet të diskutojnë zhvillimet në takimin e së mërkurës në Bruksel. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos