Qeveria italiane ka miratuar një dekret që do të ulë çmimet e karburantit për 20 ditë, për të ndihmuar konsumatorët e goditur nga rritja e çmimeve të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme.
Dekreti, i cili ul taksat e akcizës, u miratua nga kabineti të mërkurën dhe pritet të sjellë një ulje të çmimeve të naftës dhe benzinës në pompë me rreth 25 cent për litër. Paketa e masave përfshin gjithashtu lehtësira tatimore për transportuesit me kamionë, shkruan A2 CNN.
Duke njoftuar masën, zëvendëskryeministri Matteo Salvini tha se kjo do të thotë që italianët do të paguajnë më pak se qytetarët në Spanjë, Gjermani dhe Francë.Masa pritet t’i kushtojë qeverisë rreth një miliard euro dhe është një lëvizje e përkohshme që mund të zgjatet, në varësi të situatës.
Ajo vjen përpara një referendumi të rëndësishëm dhe të debatueshëm në Itali këtë fundjavë për reformën kushtetuese, ndryshime në sistemin gjyqësor, i cili është kthyer në një provë të madhe politike për kryeministren Giorgia Meloni. (A2 Televizion)