Merz do të takohet me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë më 5 qershor

Nga A2 CNN
1 Qershor 2025, 09:28 | Bota

Merz do të takohet me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë

Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë të enjten, më 5 qershor, bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Stefan Kornelius.

Kornelius tha më 31 maj se është planifikuar që dy udhëheqësit të zhvillojnë një takim në Shtëpinë e Bardhë, pasuar nga një drekë e përbashkët e më pas një konferencë për media.

Bisedimet në Uashington pritet të përqendrohen në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përgjigjes së NATO-s ndaj kërcënimeve të jashtme në rritje. Udhëheqësit po ashtu pritet të bisedojnë për mosmarrëveshjet tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

Ky do të jetë takimi i parë mes dy udhëheqësve që kur Merzi mori detyrën e kancelarit më 6 maj. Para se Merz të merrte këtë post, ishte takuar me Trumpin shumë vite më parë në Nju Jork.

Merz do të niset drejt Uashingtonit të mërkurën, pas një darke që do të ketë me kryeministrat e 16 landeve gjermane në Berlin, tha Kornelius.

Presidenti Trump do ta akomodojë kancelarin gjerman në shtëpinë e tij për mysafir, Shtëpinë Blair, që gjendet afër Shtëpisë së Bardhë. Kornelius tha se akomodimi i Merzit në këtë vend është një nder i posaçëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos