Alarm në shtetin amerikan, “arratisen” 250 milionë bletë

Nga A2 CNN
31 Maj 2025, 16:32 | Bota

Alarm në shtetin amerikan, “arratisen” 250 milionë

Rreth 250 milionë bletë u liruan pas përmbysjes së një kamioni në shtetin amerikan të Uashingtonit të premten, duke detyruar autoritetet të lëshojnë paralajmërime për publikun që të shmangin zonën për shkak të rrezikut nga pickimet.

Kamioni, i cili transportonte afro 31 750 kilogramë koshere aktive me bletë, u përmbys pranë kufirit me Kanadanë, shkruan A2 CNN. Autoritetet lokale u ndihmuan nga dhjetëra bletërritës profesionistë për të menaxhuar situatën.

“Qëllimi ynë është të shpëtojmë sa më shumë bletë”, deklaroi Zyra e Sherifit të Qarkut Whatcom. Zona e aksidentit u mbyll për publikun deri në përfundimin e operacionit të shpëtimit. Pamjet e publikuara nga autoritetet tregonin mijëra bletë që rrotulloheshin rreth kamionit të përmbysur, ndërsa pjesë të tij si kapaku dhe çatia ishin të mbuluara me bletë. “250 milionë bletë janë të lira”, shkroi zyra e sherifit në një postim në rrjete sociale. “Shmangni zonën për shkak të rrezikut të pickimeve dhe grumbullimeve të bletëve”.

Alarm në shtetin amerikan, “arratisen” 250 milionë

Bletërritësit bashkëpunuan me policinë për të vendosur përsëri kosheret në vendet e tyre dhe për të ndihmuar bletët të gjejnë mbretëreshën e tyre, proces që sipas autoriteteve mund të zgjasë 24 deri në 48 orë. Në një përditësim të mëvonshëm, policia falënderoi komunitetin e bletërritësve për ndihmën, duke theksuar se mbi 24 persona dolën vullnetarë për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit.

Ndërsa disa bletërritës prodhojnë vetëm mjaltë, të tjerë japin me qira kosheret për të ndihmuar fermerët në procesin e polenizimit të kulturave bujqësore, një pjesë jetike e bujqësisë moderne. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos