Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov mbërriti sot në Korenë e Veriut për një vizitë zyrtare në vend, sipas agjencive ruse të lajmeve, ndërsa Moska dhe Pheniani kanë forcuar ndjeshëm bashkëpunimin e tyre , përfshirë bashkëpunimin ushtarak.
Lavrov mbërriti në Wonsan, në bregdetin e Detit të Japonisë, ku një zonë turistike u përurua nga autoritetet e Koresë së Veriut në fund të qershorit, raportuan agjencitë shtetërore ruse TASS dhe Ria Novosti.
Ministri i jashtëm rus ka planifikuar të zhvillojë bisedime me homologun e tij të Koresë së Veriut, Choe Son Hui.
Kjo vizitë vjen një muaj e gjysmë pas asaj të Sekretarit të Këshillit të Sigurisë Ruse, Sergei Shoigu, në kryeqytetin e Koresë së Veriut, duke shënuar përvjetorin e parë të një marrëveshjeje të mbrojtjes së ndërsjellë të nënshkruar nga të dy vendet.
Moska dhe Pheniani kanë rritur bashkëpunimin e tyre ushtarak vitet e fundit, me Korenë e Veriut që ka siguruar armë dhe ushtarë për të mbështetur pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Të dy vendet nënshkruan një marrëveshje mbrojtjeje të ndërsjellë vitin e kaluar gjatë vizitës së Presidentit rus Vladimir Putin në Korenë e Veriut.
Një detashment ushtarësh të Koresë së Veriut mori pjesë, së bashku me ushtrinë ruse, në beteja kundër forcave ukrainase në rajonin rus të Kurskut, një pjesë e vogël e të cilit ishte pushtuar nga forcat ukrainase deri në prill 2025.
Në një tjetër shenjë të kohëve të fundit të afrimit, autoriteti rus i aviacionit civil i dha kompanisë Nordwind Airlines lejen për të operuar deri në dy fluturime në javë midis Moskës dhe Phenianit. (A2 Televizion)