“Nëse rrëzoni avionët tanë, do të jetë luftë”. Është kjo përgjigjja e fortë e Moskës ndaj paralajmërimeve të NATO-s se nëse do të jenë të detyruar, do të godasin avionët apo dronët rusë në qiejt e shteteve anëtare.
“Nëse NATO e bën këtë, do të nisë lufta”, tha ambasadori i Putinit në Francë, Meshkov.
Gjithashtu, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme në Moskë, Maria Zakharova, pohoi në një intervistë për Tass se paralajmërimi i Europës ishte një fantazi agresive e ushqyer nga rusofobia, shkruan A2.
Të enjten, avionët luftarakë të Moskës u interceptuan nga Shtetet e Bashkuara pranë Alaskës, ndërsa avionë të aleancës u nisën nga Lituania pas sinjalizimit për 5 avionë ushtarakë të Rusisë pranë hapësirës ajrore letoneze. Ishte fillimisht Presidenti amerikan Donald Trump që tha se NATO mund të rrëzojë avionët rusë që do të shkelin hapësirën e vendeve aleate.
Pohimin e tij e konfirmoi më vonë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, por duke shtuar se një hap i tillë do të ndërmerret vetëm nëse do të jetë i nevojshëm. Nëse deri më tani praktika standarde në rast të shkeljeve të kufirit ka qenë gjithmonë të kapet, shoqërohet dhe ndoshta të detyrohet një avion të ulet, fjalët e Trump mund të ndikojnë në rregullat e angazhimit, duke i dhënë legjitimitet politik një rrëzimi të mundshëm.
Ato gjithashtu krijojnë një pritshmëri për veprim të menjëhershëm pavarësisht nga lloji i shkeljes, pa bërë dallim midis një shkeljeje të vërtetë të kufirit dhe thjesht hyrjes në një zonë ndërkombëtare.
Trump po i ofron kështu mbështetje kryeministrit polak Tusk, i cili kishte premtuar t'u përgjigjej provokimeve të ardhshme ruse duke rrëzuar avionë, ndërsa Gjermania dhe Italia kishin kërkuar kujdes. Sipas ministrit gjerman të Mbrojtjes Pistorius, "Putinit nuk duhet t'i bëhet nderi" duke rënë "në kurthin e përshkallëzimit". (A2 Televizion)