"Na mjaftojnë vetëm disa pushkë", Irani urdhëron huthit të mbyllin ngushticën e "Bab el-Mandeb"

Nga Erjon Dervishi
17 Korrik 2026, 15:48 | Bota

Irani i ka kërkuar lëvizjes Houthi të Jemenit të qëndrojë gati për të mbyllur rrugën e transportit të naftës në Detin e Kuq nëse Shtetet e Bashkuara godasin infrastrukturën energjetike iraniane – një kërcënim i ri dhe serioz për furnizimet globale me energji – thanë tre burime për agjencinë Reuters.

Kjo ide është diskutuar brenda udhëheqjes së Republikës Islamike dhe mesazhi u është përcjellë aleatëve Houthi të Iranit, thanë dy burime të larta iraniane dhe një burim rajonal i njohur me çështjen, të cilët folën në kushte anonimiteti, shkruan A2.

Burimet thanë se Houthi-t ishin informuar së fundmi për kërkesën e Teheranit, një informacion që nuk ishte raportuar më parë. Ata nuk dhanë detaje të mëtejshme se si ishte përcjellë kërkesa apo nëse ajo erdhi pas kërcënimit të Presidentit amerikan Donald Trump të martën për të sulmuar infrastrukturën energjetike iraniane.

Ministria e Jashtme e Iranit dhe një zëdhënës i grupit Houthi nuk ishin menjëherë të disponueshëm për t'iu përgjigjur kërkesës së Reuters për koment.

Një burim pranë Houthi-ve tha se grupi kishte përfunduar përgatitjet për të sulmuar anijet duke vendosur raketa dhe dronë pranë ngushticës Bab el-Mandeb – porta hyrëse për në Detin e Kuq – në zonat malore të Jemenit që mbikëqyrin Hodeidah-un dhe Gjirin e Adenit, dhe se po priste urdhrin për të filluar.

Dy burime rajonale pranë Riadit thanë se mbretëria po i merrte shumë seriozisht kërcënimet nga Irani dhe Huthët, duke shtuar se Riadi ishte në dijeni se grupi jemenas tani po koordinohej ngushtë me Iranin mbi Detin e Kuq.

Tensionet janë rritur që kur një armëpushim i brishtë i qershorit midis Teheranit dhe Uashingtonit u shemb, duke ringjallur frikën e një lufte në shkallë të plotë dhe duke ndërprerë rrjedhat e energjisë përmes Ngushticës.

Mbyllja e ngushticës nuk do të ishte e vështirë, tha burimi, duke shtuar: "Kushdo që ka një pushkë mund ta ndërpresë transportin detar. Nuk ke nevojë për raketa të sofistikuara për ta ndërprerë atë”.

Irani i konsideron Huthët si pjesë të "Boshtit të Rezistencës" së tij rajonale, një aleancë që përfshin gjithashtu Hezbollahun e Libanit dhe grupet e armatosura shiite irakiane, të cilat tashmë i janë bashkuar konfliktit rajonal midis Teheranit dhe Uashingtonit. Megjithatë, rebelët Huthë nuk janë përfshirë zyrtarisht në konflikt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos