
Autoritetet siriane kanë mohuar kategorikisht pretendimet e Iranit se ka kryer një sulm ndaj bazës amerikane në al-Tanf, pranë kufirit Siri–Jordani.
Burime nga Ministria e Brendshme siriane i thanë Al Jazeera se nuk ka pasur asnjë sulm iranian në territorin sirian dhe se nuk është regjistruar asnjë incident në zonën e ish-bazës amerikane.
Sipas të njëjtave burime, trupat amerikane janë tërhequr nga baza e al-Tanf që në shkurt të këtij viti, duke shtuar se aktualisht nuk ka prani të ushtarëve amerikanë në Siri.
Më herët, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se kishte goditur sistemet e radarëve në al-Tanf, kishte shkatërruar disa helikopterë dhe kishte vrarë ushtarë amerikanë. Megjithatë, këto pretendime janë hedhur poshtë nga autoritetet siriane dhe nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura, shkruan A2CNN.
Pretendimet e Teheranit vijnë vetëm një ditë pasi autoritetet siriane njoftuan se kishin sekuestruar një ngarkesë të dyshuar armësh në kufirin Siri-Irak, e cila, sipas tyre, ishte destinuar për grupin Hezbollah në Liban. Në njoftimin zyrtar, qeveria siriane e cilësoi Hezbollahun si organizatë terroriste.
(A2 Televizion)