Ilir Selmani do të vuajë 28 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Apeli i GJKKO la në fuqi vendimin e dhënë në vitin 2023, megjithëse çështja u rikthye për rigjykim nga Gjykata e Lartë dy vite më parë.
Gjatë shpalljes së verdiktit, Selmani nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga dy avokatwt e tij, ndërsa në sallën e gjykimit ishte e ëma e viktimës, shkruan A2.
Pas vendimit të Apelit, ish-boksieri Selmani duhet të lërë banesën ku mbahej në masën e sigurisë “arrest shtëpie” per shkak te kalimit te afateve te paraburgimit dhe të dërgohet në një burg të sigurisë së lartë. Ai u shpall fajtor si pjesëmarrës në vrasjen e 26-vjeçarit Santiago Malko, ngjarje e regjistruar në gusht të vitit 2019.
Gjatë përballjes me drejtësinë ai e ka mohuar akuzën megjithëse ka pranuar se ka patur lidhje shoqërore me vëllezërit Leonard dhe Elis Duka, që SPAK thotë se janë drejtuesit e grupit kriminal që organizuan ekzekutimin e ish policit.
Më herët, për të njëjtën ngjarje, janë dënuar me 30 vite burg Leonard Duka dhe me nga 25 vite Fatmir Hyseni, Aleksandër Manxhaku, Dritan Aga, Blendi Teta dhe Oltian Loga, ndërsa Elis Duka ka marrë pafajësi. (A2 Televizion)