Natë zjarri në Kiev. Rusia lëshon qindra drone e raketa, të paktën 13 viktima

Nga Rosalba Bejdo
2 Korrik 2026, 15:03 | Bota

Breshëri raketash e dronësh goditën kryeqytetin ukrainas, Kiev, gjatë natës, teksa Rusia ndërmori valën më të rëndë të sulmeve në disa javë.

Të paktën 13 persona mbetën të vrarë, mes të cilëve një numër i konsiderueshëm fëmijësh, siç bëri të ditur kreu i administratës ushtarake të Kievit. 30 të tjerë raportohet të jenë plagosur e me mijëra njerëz u strehuan në stacionet nëntokësore të metrove, shkruan A2.

Disa lagje u evakuuan teksa raketat e dronët ranë mbi ndërtesat rreth qytetit, pak orë pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Moska po përgatitej për një sulm masiv.  

Në një reagim mëngjesin e së enjtes, Zelensky tha se armiku kishte shënjestruar edhe një herë zonat rezidenciale duke vrarë civilë: “Në total, Rusia lëshoi ​​74 raketa të llojeve të ndryshme në Ukrainë, pothuajse gjysma e të cilave ishin balistike, dhe rreth 500 dronë sulmues, përfshirë avionët luftarakë Shahed. Objektivi kryesor ishte Kievi. Mbrojtësit tanë qiellorë arritën të rrëzonin një numër të konsiderueshëm mjetesh sulmuese, por jo të gjitha”.

Forcat ajrore sqaruan se teksa kishin rrëzuar shumicën e objekteve sulmuese, 25 prej raketave balistke dhe 12 dronë kishin goditur 33 zona rreth kryqytetit. Qielli i natës në Kiev u bë i kuq, mes shpërthimeve të forta dhe të njëpasnjëshme.  

Një zjarr i madh përfshiu qendrën e qytetit, e po ashtu flakë pati në zona të tjera përfshirë në një stacion ambulancash në qytet. Drita e diellit solli imazhet e një krateri të madh që tregonte impaktin e shpërthimeve. Makina të djegura, ndërtesa e infrastrukturë e shkatërruar mund të shiheshin pranë rrënojave nga bombardimet.  

Zjarrfikësit luftuan gjatë gjithë natës me flakët që shkatërruan edhe një hotel në një bulevard qendror. Ministri i Jashtëm, Andriy Sybiha, u bëri thirrje vendeve aleate të dërgojnë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, duke thënë se vendi nuk kishte nevojë vetëm për fjalë dënuese, por veprim konkret për të ndalur terrorin rus.

Moska goditi edhe infrastrukturën në Ukrainën lindore e qendrore, në atë që e cilësoi raprezalje për sulmet e fundit të Ukrainës ndaj centraleve elektrike. Për herë të parë, Putin pranoi se vendi përballej me mungesë karburanti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos