Duket se plani izraelit për një shfarosje totale të Bregut Perëndimor po vjen drejt finalizimit. Nuk do të ketë shtet palestinez në Bregun Perëndimor. Kështu ka bërë të ditur Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu duke folur në një ceremoni nënshkrimi për një projekt të madh vendbanimesh në Bregun Perëndimor të pushtuar.
"Ne thamë se nuk do të ketë shtet palestinez dhe e themi përsëri se nuk do të ketë shtet palestinez. Ky vend është i yni. Ne do të kujdesemi për vendin tonë, sigurinë dhe trashëgiminë tonë. Ky është premtimi ynë, bëri me dije Benjamin Netanyahu.
Sakaq, Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar ashpër—në një postim në X—ndaj komenteve të kryeministrit spanjoll, Pedro Sánchez për njohjen e shtetit palestinez, shkruan A2 CNN.
"Spanja nuk mund ta ndalojë betejën e Izraelit kundër terroristëve të Hamasit sepse 'Spanja nuk ka armë bërthamore'. Ky është një kërcënim i qartë gjenocidal kundër shtetit të vetëm hebre në botë. Me sa duket, Inkuizicioni Spanjoll, dëbimi i hebrenjve nga Spanja dhe shfarosja sistematike e hebrenjve gjatë Holokaustit nuk janë të mjaftueshme për Sánchez. E pabesueshme."
Ndërkohë në Rripin e Gazës kanë vijuar përsëri luftimet. Tymi këtë herë u ngrit mbi kampin e refugjatëve al-Shati në qytetin e Gazës pasi një sulm izraelit goditi një ndërtesë banimi, duke i detyruar banorët të iknin në rrugë.
“Ne ishim ulur të sigurt në shtëpitë tona, kur papritmas ushtria (izraelite) thirri një nga banorët e lagjes dhe i tha ta zbrazte lagjen dhe se do të shënjestronin ndërtesën pranë tyre. Askush nuk po kujdeset për ne. Ndalojeni këtë luftë për hir të Zotit, ndalojeni luftën”, tha Alaa Hamuda, Rezident i Al-Shati.
Sipas mjekëve, të paktën pesë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në sulm. Izraeli u dha paralajmërime palestinezëve që të largohen nga Qyteti i Gazës, një zonë dikur shtëpi e rreth një milion banorëve, ndërsa përpiqet të shkatërrojë atë që ka mbetur nga Hamasi, i cili është shkatërruar nga ushtria izraelite që nga tetori i vitit 2023. (A2 Televizion)