Mijëra protestues mbushën rrugët e Londrës dhe qyteteve të tjera të Anglisë për të dënuar reagimet e ashpra të së djathtës ekstreme të cilët filluan pas vrasjes së tre vajzave nga një emigrant me origjinë nga vendet e Lindjes së Mesme. Demonstratat u organizuan në përgjigje të protestave të planifikuara të së djathtës ekstreme, të cilat u anuluan në minutën e fundit në shumë vende. Në Londër, Bristol, Oxford, Liverpool, Birmingham, turma të mëdha paqësore u mblodhën për t'i thënë jo racizmit që ka pushtuar sheshet angleze ditët e fundit.
"Ndaloni fashistët tani", brohoritën protestuesit në Liverpool. Protestuesit përfshinin emigrantë myslimanë, sindikalistë, si dhe organizata të krahut të majtë dhe banorëve vendas të cilët ishin të tmerruar nga trazirat që kishin goditur vendin.
Policia e Londrës mori masat e saj duke shoqëruar një grup oficerësh gjatë një bastisje mëngjesin e së enjtes. Po ashtu një qytetar anglez u dënua me tre vite burg për rolin e tij gjatë protestave, pasi u deklarua fajtor për shkaktim dhune dhe goditje të një oficeri policie. Sakaq kryeministri britanik, Keir Starmer tha se dënimet e ashpra të cilat u jepen atyre që janë përfshirë në protesta të dhunshme dërgojnë një "mesazh të fuqishëm" dhe luajnë një rol në parandalimin e dhunës së mëtejshme.
"Prioriteti i parë është siguria komuniteteve tona. Mbrëmja ishte shumë më e mirë se sa pritej. Por ne nuk do të heqim dorë nga përpjekjet tona. Prandaj është shumë e rëndësishme që unë të vazhdoj diskutimet e mia, duke u koordinuar me zbatuesit e ligjit, me drejtuesit e policisë për t'u siguruar që ne të kemi oficerët e duhur në vendin e duhur për të vazhduar të shtyjmë hetimin e përgjegjësive penale”.
Një reagim për protestat pati edhe nga kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan i cili falënderoi ata që morën pjesë në demonstratat paqësore dhe policinë për demonstrimin se kryeqyteti britanik "është i sigurt dhe qëndron kundër urrejtjes". (A2 Televizion)