Shtetet e Bashkuara të Amerikës festuan 250-vjetorin e Pavarësisë me një spektakël madhështor fishekzjarrësh, fluturime ushtarake dhe koncerte, pavarësisht temperaturave ekstreme dhe stuhive që përfshinë pjesë të mëdha të vendit.
Në Uashington, presidenti Donald Trump mbajti një fjalim në aktivitetin Freedom 250, ku deklaroi se "ëndrra amerikane është rikthyer" dhe se vendi po hyn në "epokën e artë të Amerikës". Ai përsëriti mesazhe politike mbi mbrojtjen e armëmbajtjes, luftën kundër komunizmit dhe ligjin Save America Act, ndërsa e mbylli fjalimin me thirrjen: "Rroftë përgjithmonë kauza e pavarësisë."
Festimet kulmuan me shfaqjen më të madhe të fishekzjarrëve të organizuar ndonjëherë në SHBA, ndërsa mbi kryeqytet u zhvilluan edhe fluturime ceremoniale, përfshirë paraqitjen e avionit të ri presidencial Air Force One.
Megjithatë, moti ekstrem ndikoi në program. Një stuhi detyroi evakuimin e përkohshëm të zonës së National Mall, ndërsa vala e të nxehtit me temperatura deri në 42 gradë Celsius shkaktoi anulimin e disa aktiviteteve në shtete të ndryshme. Mbi 750 mijë konsumatorë mbetën pa energji elektrike për shkak të motit të keq.
Gjatë ditës, në rrugët e Uashingtonit marshuan edhe rreth 400 anëtarë të grupit nacionalist të bardhë "Patriot Front", të maskuar dhe me flamuj amerikanë, duke tërhequr vëmendjen e mediave.
Në të gjithë vendin u organizuan koncerte dhe ceremoni natyralizimi për qytetarët e rinj amerikanë. Ndërkohë, ish-presidentët Joe Biden dhe Barack Obama publikuan mesazhe për 250-vjetorin, duke theksuar se idealet e barazisë dhe demokracisë kërkojnë angazhim të vazhdueshëm nga çdo brez. (A2 Televizion)