Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka hedhur poshtë deklaratat e drejtoreshës së inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard, në lidhje me programin bërthamor të Iranit, duke këmbëngulur se Teherani ishte "shumë pranë" prodhimit të një arme bërthamore kur u godit nga Izraeli.
Duke folur me gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, Trump u pyet për qëndrimin e tij personal mbi nivelin e zhvillimit të armëve bërthamore nga Irani, përballë dëshmisë së mëparshme të Gabbard, e cila kishte thënë se Irani nuk ishte afër një arme të tillë.
"Shumë afër", tha Trump. Kur u përball me deklaratën specifike të Gabbard se Irani nuk ishte në prag të prodhimit të armës bërthamore, ai u përgjigj prerë: “Nuk më intereson çfarë tha ajo. Unë mendoj se ata ishin shumë afër që ta kishin.”
Sipas CNN, vlerësimet e shërbimeve amerikane të inteligjencës kanë treguar se Irani jo vetëm që nuk po punonte aktivisht për të prodhuar një armë bërthamore, por ishte të paktën tre vite larg nga mundësia për të ndërtuar dhe përdorur një të tillë, shkruan A2 CNN.
Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndan të njëjtin qëndrim me Trump. Ai ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Irani ishte në prag të përfundimit të një arme bërthamore.
I pyetur javën e kaluar nëse diçka kishte ndryshuar nga fundi i marsit deri tani, apo nëse inteligjenca amerikane kishte gabuar, Netanyahu tha:
“Informacioni që morëm dhe që ndamë me Shtetet e Bashkuara ishte absolutisht i qartë. Ata po punonin në një plan sekret për të kthyer uraniumin në armë. Po përparonin shumë shpejt.” (A2 Televizion)