Mbi 55 të vdekur, raketa balistike dhe dronë luftarakë mbi Ukrainën

Nga Erjon Dervishi
17 Qershor 2025, 11:56 | Bota

Ukraina është zgjuar nga një valë sulmesh të fuqishme ruse të cilat goditën lagje në të gjithë kryeqytetin ukrainas Kiev herët të martën, duke vrarë 55 persona.

Më shumë se 40 persona janë transportuar në mjediset mjekësore në qytet, shkruan A2.

“Ende nuk ka informacion të saktë për të plagosurit, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë në terren", tha kryebashkiaku i Kievit, Vitaly Klitchko, në një video të postuar në Telegram.

"Në lagjen Solomjansky, në veçanti, po pastrohen rrënojat e një ndërtese banimi, ku u shemb e gjithë hyrja. Më parë, sipas ekipeve të shpëtimit dhe policisë, 14 persona vdiqën. Selia qendrore është vendosur në periferi për të ndihmuar të gjithë ata që janë prekur nga sulmi masiv armik në kryeqytet”, shtoi ai.

Sulmi rus goditi 27 vende rreth kryeqytetit, duke dëmtuar ndërtesa banimi, institucione arsimore dhe objekte të infrastrukturës kritike, tha Ministri i Brendshëm Ihor Klymenko.

"Sot, armiku nuk kurseu as dronët dhe as raketat", tha ai për atë që e quajti një nga sulmet më të mëdha në qytet që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë në shkurt 2022.

Pjesë të tjera të vendit u sulmuan gjithashtu, duke përfshirë një rajon jashtë kryeqytetit ku një person u plagos dhe rajonin jugor të Odesës, ku 13 persona u plagosën, sipas autoriteteve lokale.
Klymenko tha se një raketë balistike goditi një ndërtesë banimi nëntëkatëshe në lagjen e Kievit, duke shkatërruar një pjesë të saj. Ai tha se shërbimet e emergjencës po nxitonin për të kërkuar nëpër rrënoja për ndonjë të mbijetuar të mundshëm.

Kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se një shtetas 62-vjeçar amerikan kishte vdekur në një banesë përballë një vendi ku mjekët po ofronin ndihmë gjatë sulmit. Klymenko tha se burri vdiq nga plagët e predhave.

Ndërkohë, bëhet e ditur se njësitë ruse të mbrojtjes ajrore interceptuan dhe shkatërruan 147 dronë ukrainas mbi territorin rus, përfshirë rajonin e Moskës, gjatë natës, tha të martën Ministria Ruse e Mbrojtjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos