Një murgeshë katolike nga Instituti i Motrave të Bamirësisë në Milano është arrestuar të enjten, si pjesë e një operacioni të madh kundër ‘Ndragheta-s, ku u arrestuan gjithsej 25 persona. Motra Anna Donelli, 57 vjeç, akuzohet për një sërë krimesh, duke përfshirë ndihmë dhe nxitje të zhvatjes, trafik droge, pastrim parash dhe bashkëpunim me grupin famëkeq nga Kalabria.
Sipas prokurorit Francesco Prete, Donelli, e njohur nga të burgosurit si “Motër Collina”, dyshohet se ka shfrytëzuar rolin e saj shpirtëror për të dërguar mesazhe dhe urdhra midis bosëve mafiozë në burg dhe bashkëpunëtorëve të tyre jashtë. “Ajo ishte ndërmjetëse, duke ofruar ndihmë morale dhe materiale, ndërsa merrte informacione të dobishme për planifikimin e strategjive kriminale”, deklaroi Prete gjatë një konference për shtyp.
Operacioni i policisë përfshiu 300 oficerë anti-mafia dhe qen të specializuar për zbulimin e drogës dhe parave të fshehura. Gjatë aksionit, u konfiskuan 1.8 milionë euro, si dhe armë dhe drogë në lokacione të ndryshme në Bergamo, Verona dhe Trevizo.
Ndër të arrestuarit ishte edhe një mjek, anëtar i partisë së kryeministres Giorgia Meloni, i cili dyshohet se trajtonte plagët e mafiozëve për të shmangur dyshimet në sistemin shëndetësor publik. (A2 Televizion)