Paketa e re fiskale, në Korçë, hoteleri-turizmi e pret me shqetësim

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
29 Tetor 2026, 12:57 | Ekonomi

Paketa fiskale e prezantuar nga qeveria shqiptare, e cila parashikon, ndër të tjera, rritjen e taksave, veçanërisht për bizneset që operojnë në sektorin e hoteleri-turizmit, është pritur me shqetësim nga këta të fundit.

Në Korçë, ku turizmi shihet si motori kryesor i të ardhurave ekonomike të qytetit dhe të gjithë rajonit të juglindjes, rritja e taksave për këtë sektor do të thotë rrënim.

“Është një goditje e drejtpërdrejtë për këtë aktivitet. Janë dy kategori që goditen, në radhë të parë TVSH nga 6% shkon në 10%, ngrihet dividenti nga 15% në 18% ndërsa tatimi i fitimit bëhet 17%”, thotë Bujar Muço, kryetar i SHBVM-së. “Është koha jo e duhur për të bërë këtë. Ka një shpopullim të madh të vendit. Korça ka ka turizëm malor, por vetëm në fundjavë. Unë besoj se do të ketë rrudhje të turizmit. Pronarët do të rrisin çmimet dhe do të ketë më pak turistë”.

Nënkryetari i Shoqatës së Biznesit të Mesëm dhe të Vogël ka edhe një apel për qeverinë, ndërsa paketa fiskale ende nuk është miratuar. “Është akoma në kohë qeveria ta diskutojë edhe me grupet e interesit dhe ekspertët dhe të bëjë hapat e duhur për ta nxitur ekonominë dhe turizmin”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos