“Jam udhëheqësi legjitim i Brazilit”. Bolsonaro mbërrin në SHBA: Lula sa Silva, grusht elektoral ndaj meje

Nga Rosalba Bejdo
29 Tetor 2026, 13:31 | Bota

“Jam udhëheqësi legjitim i Brazilit”. Bolsonaro

Senatori brazilian Flavio Bolsonaro, pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara, është vetëshpallur udhëheqësi legjitim i Brazilit, duke akuzuar presidentin Luiz Inacio Lula da Silva dhe Gjykatën e Lartë për atë që e cilëson si një grusht shteti elektoral.

Në një letër të publikuar në rrjetin social X, Bolsonaro fillimisht e shpalli veten presidentin e zgjedhur, por më pas e fshiu deklaratën dhe e ndryshoi formulimin, duke e cilësuar veten si “udhëheqësin legjitim” të vendit. Ai iu drejtua rreth 60 milionë votuesve të tij dhe popullit brazilian, duke pretenduar se zgjedhjet ishin vjedhur dhe se vendi po drejtohej nga një organizatë kriminale që kishte vendosur tiraninë. Megjithatë, senatori nuk paraqiti asnjë provë për pretendimet e tij.

“Në ditët në vijim, do t’i drejtohem rregullisht popullit brazilian. Do të paraqesim një strategji për të mobilizuar opozitën dhe mbështetjen e madhe popullore, me çdo mjet paqësor dhe të ligjshëm, për të penguar Lulën të vendosë një regjim diktatorial në Brazil. U largova nga Brazili, por nuk i braktisa brazilianët”, tha ai, përcjell A2 CNN.

Bolsonaro, djali i ish-presidentit Jair Bolsonaro u largua nga Brazili në mënyrë të fshehtë, pasi Gjykata e Lartë kishte urdhëruar dorëzimin e pasaportave të tij në kuadër të një hetimi për pastrim parash. Ai mohon çdo shkelje dhe pretendon se u largua për të mbrojtur veten dhe familjen nga ajo që e quan një gjueti shtrigash.

Nga Miami, ai falënderoi presidentin amerikan Donald Trump, i cili i dha atij dhe familjes së tij viza hyrjeje, si dhe presidentin argjentinas Javier Milei për ndihmën që i mundësoi udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara.

Në Uashington, Trump shmangu komentet e drejtpërdrejta për deklaratën e senatorit, por përsëriti qëndrimin e tij të mëparshëm se zgjedhjet në Brazil ishin “shumë të çuditshme”. Ndërkohë, autoritetet braziliane mbrojnë legjitimitetin e procesit zgjedhor. Lula fitoi me rreth 4.5 milionë vota diferencë dhe rezultati është njohur nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe liderët botërorë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos