Orban synon marrëveshje ekonomike me SHBA-në

Nga A2 CNN
16 Tetor 2025, 09:44 | Bota

Orban synon marrëveshje ekonomike me SHBA-në

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha se pret që të takohet së shpejti me presidentin amerikan, Donald Trump, për të diskutuar për një marrëveshje ekonomike mes dy shteteve.

“Ka një datë dhe është diskutuar rreth 80 për qind e agjendës. Kur të pajtohemi me amerikanët me 20 për qindëshin e mbetur, do të vendosim se kur të njoftojmë për takimin dhe më pas ai do të zhvillohet”, tha Orban, një aleat i kamotshëm i Trump, në një intervistë për Mandiner.

Orban tha se Budapesti do të dëshironte që në agjendë të ishte një marrëveshje për taksat, në mënyrë që të parandalohet tatimi i dyfishtë. Po ashtu, ai tha se do të dëshironte të bisedonte me udhëheqësin amerikan për investime.

SHBA-ja e ka ndërprerë marrëveshjen për taksat me Hungarinë më 2022 dhe vendimi ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2023.

Orban ka parashikuar një “epokë të artë” të raporteve SHBA-Hungari në mandatin e Trumpit, pavarësisht tarifave të vendosura ndaj Bashkimit Evropian që dëmtuan ekonominë e Hungarisë.

Megjithëse Orban nuk ka zhvilluar një takim dypalësh me Trumpin që kur ai nisi mandatin në janar, ai disa herë ka shfaqur interesim për një marrëveshje ekonomike.

Udhëheqësi hungarez, i cili do të përballet me zgjedhjet më 2026, ka kultivuar një marrëdhënie të fortë personale me Trump përgjatë viteve. Qëndrimi i tij i ashpër kundër emigracionit i ka fituar mbështetje në rrethet e lidhura me Trumpin në SHBA.

Megjithatë, marrëdhëniet midis dy vendeve janë përballur me tensione, veçanërisht për shkak të politikave pro Kinës të Orbanit dhe varësisë së vazhdueshme nga importet e naftës dhe gazit natyror nga Rusia.

Një shenjë e prekshme e përmirësimit të raporteve nën administratën Trump erdhi muajin e kaluar, kur SHBA-ja e riktheu plotësisht statusin e Hungarisë në programin e saj të regjimit pa viza. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos