Kina ka nisur stërvitje intensive me zjarr të vërtetë pranë brigjeve të Tajvanit, në një tjetër shfaqje force që rrit ndjeshëm tensionet në rajonin aziatik.
Pamje dramatike të publikuara nga media shtetërore kineze tregojnë forcat e Ushtrisë Çlirimtare Popullore duke lundruar në formacione të ngushta me tanke amfibe dhe automjete të blinduara, ndërsa kryenin simulime sulmesh detare pranë provincës Fujian, vetëm pak kilometra larg Tajvanit.
Stërvitjet ndodhën njëkohësisht me manovrat më të mëdha ushtarake të mbajtura ndonjëherë nga Tajvani. Sipas zyrtarëve të mbrojtjes në Taipei, këto ushtrime përfshijnë decentralizimin e sistemeve të komandës dhe angazhimin e rreth 300 rezervistëve në stërvitje intensive me armë të ndryshme.
Një tjetër video e publikuar të enjten tregon trupa të specializuara kineze nga Grupi i 73-të i ushtrisë duke praktikuar not të armatosur, luftime nënujore dhe infiltrime bregdetare në distanca të gjata, manovra këto që analistët e sigurisë i konsiderojnë sinjal të drejtpërdrejtë ndaj Tajvanit.
Tensionet u nxitën më tej kur për herë të parë u pa në Detin Bohai një avion gjigant kinez, i njohur si "përbindëshi i detit". Bëhet fjalë për një ekranoplan me dizajn të ngjashëm me teknologjinë sovjetike nga Lufta e Ftohtë.
Ky avion unik mund të shërbejë për misione furnizimi, transport të shpejtë bregdetar, apo operacione amfibe – dhe për ekspertët, është një mjet potencialisht i rrezikshëm në çdo ofensivë ndaj Tajvanit.
Në muajt e fundit, satelitët kanë kapur pamje të reja që shtojnë shqetësimin. Tre barka kineze të specializuara, secila me dy krahë rruge, janë rreshtuar për të krijuar një urë të lundrueshme – një sinjal i qartë për aftësinë e mundshme të Kinës për të organizuar një zbarkim të shpejtë në ishull.
Kina e konsideron Tajvanin pjesë të saj, pavarësisht se ishulli qeveriset në mënyrë demokratike që nga fundi i Luftës Civile Kineze. Presioni ushtarak ndaj Tajvanit është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë pesë viteve të fundit, me patrullime të vazhdueshme detare dhe ajrore pranë ishullit.
Ndërsa të dyja palët vazhdojnë stërvitjet intensive, analistët paralajmërojnë se çdo incident i vogël mund të shkaktojë një përshkallëzim të rrezikshëm në rajon. (A2 Televizion)