Një video e publikuar nga Sky News tregon dhjetëra ushtarë izraelitë që qëndrojnë të armatosur përballë një grupi burrash dhe djemsh palestinezë, të cilët i kanë zhveshur vetëm në të mbathura.
Skena është filmuar brenda një stadiumi që besohet të jetë “Yarmouk”, në qytetin e Gazës, por Sky News nuk mund të verifikojë se kur kjo ka ndodhur apo se çfarë është bërë më pas me të arrestuarit.
Në video ata shihen duke mbajtur duart në ajër apo sipër kokës në shenjë dorëzimi përballë ushtarëve të IDF-së.
Grupet me burra dhe djem palestinezë ecin deri në qendër të fushës dhe qëndrojnë në radhë të shkurtra prej rreth katër ose pesë personash secili.
Pas zbulimit të pamjeve, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit nuk e kanë mohuar autencitetin e tyre. Duke iu përgjigjur Sky News, IDF tha se po vepron për të "çmontuar aftësitë ushtarake të Hamasit" dhe si pjesë e përpjekjeve të saj, terroristët e dyshuar arrestohen dhe merren në pyetje.
"Individët që zbulohet se nuk marrin pjesë në aktivitete terroriste lirohen. Individët e arrestuar trajtohen në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Shpesh është e nevojshme që të dyshuarit për terrorizëm të dorëzojnë rrobat e tyre në mënyrë që të mund të kontrollohen dhe të sigurohen që ata të mos fshehin jelekë të përdorur nga kamikazët ose armë të tjera. Rrobat nuk u kthehen menjëherë të arrestuarve, për shkak të dyshimit se mund të fshehin mjete që mund të përdoren për qëllime armiqësore”, thuhet në reagimin e IDF.
Ndërkohë, theksohet se këto nuk janë të parat pamje që tregojnë ushtarë izraelitë që grumbullojnë burra të zhveshur palestinezë në Gaza.
Në fillim të këtij muaji, një video e bërë virale në rrjet tregoi një grup burrash të veshur vetëm me të mbathura, të ulur në një rrugë të dëmtuar në Gazën veriore.
Disa nga ata që ishin pjesë e këtij grupi pretenduan se ishin rrahur dhe iu mohua ushqimi dhe uji nga forcat izraelite. (A2 Televizion)