“Para sot, ose gjak nesër”, BE në moment kritik, vendoset për financimin e luftës me asetet

Nga Rosalba Bejdo
18 Dhjetor 2025, 15:20 | Bota

Liderët e Bashkimit Europian vendosin sot nëse do të përdorin asetet e ngrira të Rusisë për të ndihmuar Ukrainën me miliona euro para në cash, në një samit që shihet si test kyç për fuqinë e bllokut. Shumica e 210 miliardë eurove asete të Moskës gjenden në organizatën me bazë në Belgjikë, Euroclear, dhe deri më tani ky shtet, por edhe disa anëtarë të tjerë të BE-së, kanë kundërshtuar përdorimin e parave.

Por pa një paketë të re financiare, Ukraina rrezikon të mbetet në të thatë brenda pak muajsh. Një zyrtar europian foli për optimizëm të përmbajtur se një ujdi do të arrihej.

Moska ka paralajmëruar bllokun me kundërpërgjigje të ashpër nëse përdoren paratë e veta dhe ka depozituar një padi kundër Euroclear në një gjykatë në Moskë, për të marrë mbrapsht asetet, shkruan A2 CNN.

Udhëheqësit e BE-së që mbërritën në samit thanë se ishte e domosdoshme të gjendej një zgjidhje. Ata janë veçanërisht të përkushtuar të tregojnë forcën dhe vendosmërinë e vendeve evropiane, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i quajti “të dobët” javën e kaluar.

“Tani kemi një zgjedhje të thjeshtë, ose para sot, ose gjak nesër. Dhe nuk po flas vetëm për Ukrainën, po flas për Evropën”, tha kryeministri polak, Donald Tusk.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se nuk do të largohej nga samiti pa një marrëveshje se si të financohet Ukraina gjatë dy viteve të ardhshme.

Zelensky, i cili ishte parashikuar t’i bashkohej samitit me një videolidhje, mori pjesë personalisht, duke nënvizuar urgjencën e situatës. Teksa bëri thirrje për një vendim pozitiv, ai paralajmëroi se nëse kjo nuk ndodh, për Ukrainën do të jetë një problem i madh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos