Presidenti amerikan Donald Trump është takuar ditën e sotme në Shtëpinë e Bardhë me kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Sipas mediave të huaja, Trump u tregoi gazetarëve se çfarë i tha Presidenti rus Vladimir Putin, në telefonatën e tyre të djeshme në lidhje me përgjigjen e Moskës ndaj sulmit të Ukrainës në aeroportet thellë brenda Rusisë.
“Ata shkuan thellë në Rusi dhe ai [Putini] në fakt më tha se nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të sulmojmë bazuar në këtë zhvillim dhe ndoshta nuk do të jetë e bukur”, tha Trump, shkruan A2 CNN.
"Nuk më pëlqen, thashë mos e bëj, nuk duhet ta bësh, duhet ta ndalosh", shtoi Trump më tej.
Trump vijoi duke thënë se “ka shumë urrejtje” midis dy palëve, por ai mbetet optimist për mundësinë e një marrëveshjeje armëpushimi.
Ai i referohet armëpushimit midis Indisë dhe Pakistanit dhe thotë: "Do të doja të bënim të njëjtën gjë me Ukrainën dhe Rusinë".
"Në një moment do të ndodhë, besoj se kështu do të ndodhë", shton ai, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)