Vladimir Putin do të hakmerret shumë shpejt ndaj Ukrianës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump menjëherë pas përfundimit të një bisede telefonike me shefin e Kremlinit. Presidenti rus Vladimir Putin i tha Presidentit të SHBA-së Donald Trump se do të duhej t'u përgjigjej sulmeve të Ukrainës me dronë ndaj flotës së bombarduesve të Rusisë me aftësi bërthamore, ndërsa i përshkroi gjithashtu bisedimet e paqes me Ukrainën si "të dobishme".
Menjëherë pasi Putin diskutoi sulmet me ministrat kryesorë në Moskë, Trump tha se kishte folur në telefon me Putinin për një orë e 15 minuta dhe se ata kishin diskutuar sulmet ukrainase dhe Iranin, shkruan A2 CNN. “Diskutuam sulmin ndaj aeroplanëve të Rusisë, nga Ukraina, dhe gjithashtu sulme të ndryshme të tjera që kanë ndodhur nga të dyja palët. Ishte një bisedë e mirë, por jo një bisedë që do të çojë në paqe të menjëhershme”, tha Trump në mediat sociale. "Presidenti Putin tha, dhe shumë fuqishëm, se do të duhet t'i përgjigjet sulmit të fundit në aeroportet", tha Trump. Rusia ka ndërmarrë disa sulme masive ajrore ndaj Ukrainës gjatë javëve të fundit.
Lufta në Ukrainë po intensifikohet pas gati katër muajsh bindjesh dhe kërcënimesh ndaj Moskës dhe Kievit nga Trump, i cili thotë se dëshiron paqe pas më shumë se tre vitesh të konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Pasi Ukraina bombardoi urat dhe sulmoi flotën e bombarduesve të Rusisë thellë në Siberi dhe në veriun e largët të Rusisë, Putin tha të mërkurën se nuk mendonte se udhëheqësit e Ukrainës dëshironin paqe.
Zyrtari i politikës së jashtme të Putinit, Yuri Ushakov, tha se udhëheqësi rus i tha Trumpit në telefonatë se bisedimet për armëpushim midis Moskës dhe Kievit kanë qenë produktive, pavarësisht asaj që ai e quajti përpjekje nga Ukraina për t'i "prishur" ato. Trump i tha Putinit në telefonatë se SHBA-të nuk ishin paralajmëruar përpara sulmit, tha ndihmësi presidencial rus Yury Ushakov. (A2 Televizion)