Gjermania duhet të rrisë kapacitetet e saj ushtarake deri në 60,000 ushtarë për të arritur objektivat e reja të NATO-s për përmirësimin e aftësive mbrojtëse. Këtë fakt e ka bërë të ditur Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius gjatë takimit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s në Bruksel, shkruan A2 CNN. Pistorius në fjalën e tij kërkoi nga vendet aleatë që Rusia të identifikohet si armiku kryesor i aleancës.
“Ne supozojmë, por ky është vetëm një vlerësim i përafërt, për të qenë të qartë, se na duhen rreth 50,000 deri në 60,000 ushtarë më shumë në forcat e armatosura të përhershme sesa kemi sot. Në deklaratat përmbyllëse të samitit të liderëve të NATO-s në Hagë më 24-25 qershor, Moska duhet të identifikohet qartë si kërcënimi kryesor për Aleancën. Përndryshe, do të ishte e vështirë për ne të shpjegonim rritjen aktuale të shpenzimeve të mbrojtjes. Nëse nuk është e qartë se nga kush ndihemi të kërcënuar, është e vështirë të përgatitemi për këtë kërcënim. Prandaj, besoj se nevojitet një sinjal i qartë. Por vendimi u takon krerëve të qeverive dhe shteteve”, tha ai.
Në Bundeswehr, numri i ushtarëve ra vitin e kaluar pavarësisht rekrutimeve të mëtejshme, ndërsa mosha mesatare u rrit. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se do të kishte afërsisht 181,150 ushtarë deri në fund të vitit 2024. Një vit më parë, më 31 dhjetor 2023, kishte afërsisht 181,500 burra dhe gra në uniformë. Megjithatë, qëllimi i deklaruar ishte së fundmi të kishte 203,000 ushtarë aktivë në forcat e armatosura.
Një vit më parë, Pistorius prezantoi modelin e tij për një shërbim të ri ushtarak, duke përfshirë shifra për numrin e ushtarëve të nevojshëm në forcën e armatosur dhe rezervën. Ai përmendi një total prej rreth 460,000 ushtarësh: konkretisht, 203,000 burra dhe gra në forcat e armatosura të përhershme, 60,000 rezervistët ekzistues dhe 200,000 rezervistë shtesë që nevojiten tani. Planifikuesit ushtarakë supozojnë se kufiri i sipërm prej 460,000 do të mbetet, por se do të planifikohen shumë më tepër ushtarë aktivë dhe ndoshta më pak rezervistë. (A2 Televizion)