Përballen në debat kandidatët për zv.president, kush ishte fituesi?

Nga A2 CNN
2 Tetor 2024, 07:12 | Bota

Demokrati Tim Walz dhe republikani JD Vance, me pikëpamje thellësisht të kundërta për çështjet që e shqetësojnë Amerikën, shtrënguan duart mbrëmjen e së martës në debatin e vetëm të kandidatëve për postin e nënpresidentit ndërsa afrojnë zgjedhjet e 5 nëntorit.

Walz dhe Vance shprehën mospajtimet e tyre për krizën në Lindjen e Mesme, emigracionin, taksat, ndryshimet klimatike dhe energjinë. Gjysma e parë e debatit u shoqërua nga kundërshtitë politike dhe sulme të lehta personale.

60-vjeçari Tim Walz, guvernator i Minesotës dhe ish-mësues i shkollës së mesme shprehu argumentet e tij përballë kundërshtarit republikan, 40-vjeçarit JD Vance, autori i një prej librave më të shitur në Shtetet e Bashkuara dhe senator konservator nga Ohajo.

Në debatin e organizuar nga kanali televiziv CBS News, Walz vuri në pikëpyetje aftësinë e republikanit Trump për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë, duke argumentuar se ish-presidenti është shumë i paqëndrueshëm për t’ja besuar udhëheqjen e vendit në një kohë krize si ajo në Lindjen e Mesme.

Kundërshtari i tij, Vance tha se bota ishte më e sigurte gjatë katër viteve që republikani Trump drejtoi Shtetet e Bashkuara.

I pyetur nëse do të mbështeste një sulm parandalues izraelit kundër Iranit, republikani Vance sugjeroi se vendimi i takon Izraelit ndërsa demokrati Walz nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes.

Vance shtroi pyetjen se përse Nënpresidentja Harris nuk kishte bërë më shumë për të trajtuar problemet e inflacionit, emigracionit dhe ekonomisë gjatë mandatit në Shtëpinë e Bardhë përkrah Presidentit Biden.

“Nëse Kamala Harris ka plane kaq të mira për të trajtuar problemet e klasës së mesme, atëherë ajo duhet t’i zbatojë ato tani, jo kur kërkon të ngrihet në detyrë, por në postin që populli amerikan e zgjodhi atë mbi 3 vite e gjysmë më parë”, tha Vance.

Walz tha se Trump u kishte dhënë përparësi miliarderëve duke ulur taksat ndërsa sulmoi kandidatin republikan për president për trysninë e ushtruar ndaj republikanëve në Kongres për të hequr dorë nga një projektpropozim dypartiak për sigurinë kufitare në fillim të vitit.

“Shumica prej nesh duam ta zgjidhim këtë”, tha Walz për emigracionin. “Donald Trump kishte katër vjet për ta bërë këtë dhe i premtoi elektoratit amerikan se sa e lehtë do të jetë”.

Vance e prezantoi veten me respekt, të përzemërt dhe herë pas here mbështeti Walz. Lidhur me energjinë, Vance tha se qëllimi i fushatës republikane ishte që ëndrra amerikane të ishte e arritshme përsëri. Ai argumentoi shtimin e prodhimit të energjisë brenda vendit ndërsa fortifikoi politikën proteksioniste tregtare të Trump duke thënë se eksportimi jashtë vendit i vendeve të punë ishte një politikë e gabuar.

Shkëmbimi më i tensionuar ndodhi afër fundit të debatit, kur republikani Vance, i cili ka thënë se nuk do të kishte votuar për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, shmangu pyetjen nëse ai do të sfidonte votimet e nëntorit nëse Trump do të humbiste.

Walz reagoi duke fajësuar pretendimet e Trump për mashtrime në zgjedhje dhe nxitjen e trazirave të 6 janarit 2021 në ndërtesën e Kongresit amerikan, një përpjekje e pasuksesshme për të parandaluar certifikimin e fitores së zgjedhjeve nga Joe Biden.

“Ai ende thotë se nuk i humbi zgjedhjet", tha zoti Walz përpara se t’i drejtohej kundërshtarit Vance. “A i humbi zgjedhjet në vitin 2020?”

Vance e anashkaloi pyetje ndërsa e akuzoi Nënpresidenten Harris për censurimin në internet të pikëpamjeve të kundërta.

Demokratja Harris u konsiderua gjerësisht si fituese përballë kundërshtarit të saj republikan, Donald Trump, në debatin e vetëm mes tyre më 10 shtator në Filadelfia, i cili u ndoq nga rreth 67 milionë shikues.

Analistët thonë se debatet mes kandidatëve për nënpresident mund të jenë të zjarrta por në përgjithësi nuk ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve. Megjithatë, një ndikim i lehtë tek opinioni publik mund të jetë vendimtar në garën e ngushtë për Shtëpinë e Bardhë. VOA (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos