Papa Françesku është në gjendje të rënduar shëndetësore pasi pësoi një krizë astmatike në spital. Lajmin e dha ekipi mjekësor i Vatikanit.
Papa 88-vjeçar ka qenë në spital për më shumë se një javë pas pneumonisë.
Kolapsi më i fundit shëndetësor kërkonte flukse të larta oksigjeni, shkruan A2.
Udhëheqësi i kishës katolike mori gjithashtu transfuzion gjaku pasi analizat treguan se ai kishte një gjendje të lidhur me aneminë.
Në këtë moment të vështirë, Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta, ka bërë thirrje për lutje të përbashkëta në të gjitha meshat.
"Në ditën e sotshme Papa Françesku ka pasur një krizë në frymëmarrje dhe probleme me gjakun për shkak të të cilit është ndërhyrë me ndërrim gjaku. Situata nuk është e lehtë dhe mjekët nuk mund të parashikojnë si mund të jetë ecuria e sëmundjes. Edhe në buletinin mjekësor të ditës së djeshme mjekët kanë pohuar se rreziku ende nuk ka kaluar. Ftohja në dy krahët e Papës e ka ndërlikuar gjendjen e tij. Prandaj ju ftoj të lutemi për Papa Françeskun nesër në të gjitha meshët tona me njet të veçantë. Zoti i jetës i qëndroftë pranë Papës dhe Nana e Këshillit të mirë e mbrojtë", lexohet në mesazhin e Imzot Gjergj Metës. (A2 Televizion)