Në Korenë e Jugut vazhdojnë tensionet politike, që tashmë po sjellin dhe përplasje institucionale. Funksionarët e Zyrës së Hetimit të Korrupsionit, të cilët po zbatonin urdhrin e arrestit për presidentin e shkarkuar, Yoon Suk Yeol, kanë anuluar përpjekjen e tyre për të ekzekutuar urdhrin e lëshuar nga autoritetet. “Për sa i përket ekzekutimit të urdhër-arrestit të sotëm ishte efektivisht e pamundur të vazhdohej për shkak të situatës së vazhdueshme të bllokimit.
Shqetësimi për sigurinë e personelit në vendngjarje çoi në vendimin për të ndaluar ekzekutimin. "Shërbimi Presidencial i Sigurisë i Koresë së Jugut parandaloi edhe një herë arrestimin e presidentit të rrëzuar Yoon Suk-yeol pas një përpjekjeje për të vendosur ligjin ushtarak më 3 dhjetor”, lexohet në një deklaratë nga Zyra e Hetimet të Korrupsionit.
Më tej thuhet se “agjentët e dërguar për ta ndaluar atë hasën në rezistencë, e cila çoi edhe në përleshje jashtë rezidencës presidenciale”. Këtë e raporton agjencia e lajmeve Yonhap.
Hetuesit paraqitën urdhër arresti për të ndaluar Yoon dhe për të kontrolluar banesën, por shefi i Shërbimit të Sigurisë Park Chong-jun ua refuzoi hyrjen, duke përmendur rregullat e privatësisë. Zyra e Hetimit të Korrupsionit ka afat deri të hënën për të ekzekutuar urdhrin e arrestit për akuzat e kryengritjes dhe shpërdorimit të pushtetit në lidhje me vendosjen e ligjit ushtarak nga Yoon më 3 dhjetor.
Arrestimin e ndërlikuan edhe mijëra mbështetës të presidentit të rrëzuar, të cilët mblidheshin vazhdimisht pranë rezidencës, pavarësisht se policia përpiqej t'i shpërndante me armë. Zyra e Prokurorit ka paralajmëruar se kushdo që parandalon arrestimin e Yoon rrezikon të arrestohet vetë për rezistencë ndaj zyrtarëve publikë. (A2 Televizion)