
Sipas planeve të "koalicionit të të vullnetshmëve" në Ukrainë nevojitet një forcë paqeruajtëse shumëkombëshe. Por nëse ushtarët gjermanë do të jenë pjesë e saj mbetet çështje e hapur.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e lë të hapur çështjen e pjesëmarrjes gjermane në një forcë paqeruajtëse në Ukrainë. I pyetur drejtpërdrejt në një emision në televizionin publik gjerman ZDF nëse Bundeswehr-i (Forcat e Armatosura Gjermane) do të merrte pjesë në një mision të tillë, Merz ju shmang pyetjes duke deklaruar se "koalicioni i të vullnetshmëve" përfshin jo vetëm shtetet evropiane, por edhe, për shembull, Kanadanë, Australinë dhe vende të tjera anembanë botës. Stacionimi i një force paqeruajtëse në Ukrainë është një nga disa premtime të bëra nga vende të ndryshme në takimin e fundit për Ukrainën në Berlin, në rast se arrihet një marrëveshje armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës.
Përveç kancelarit Merz deklarata u nënshkrua edhe nga homologët e tij nga Franca, Britania e Madhe, Polonia, Italia, Danimarka, Finlanda, Holanda, Norvegjia dhe Suedia, si dhe Presidenti i Këshillit të BE-së António Costa dhe Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen.
Të presim se ç'do të bëjë Putini?
Edhe Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD) ka shprehur rezerva në lidhje me pjesëmarrjen gjermane në një forcë paqeruajtëse në Ukrainë. Megjithatë ai tha se oferta e bërë nga evropianët është një angazhim për përgjegjësi të përbashkët. "Nëse Putini thotë se në cilin drejtim duhet të shkojnë gjërat, atëherë do të shohim se çfarë do të thotë kjo në detaje."
Gjatë një video-konference të Grupit të Kontaktit për Ukrainën, pati edhe angazhime më të qarta: homologu britanik i Pistorius, John Healey, tha se po i përgatit forcat e armatosura britanike "në mënyrë që kur të ketë paqe të jemi gati për misionin me trupa në tokë dhe avionë luftarakë në ajër"./DW (A2 Televizion)