Policia belge është në kërkim të personave të armatosur pas disa të shtënave të raportuara në një nga stacionet e metrosë së kryeqytetit.
Sipas mediave të huaja, pamjet e CCTV tregojnë të paktën dy burra të veshur me kapuç dhe duke mbajtur armë kallashnikov në hyrje të stacionit Clemenceau në Bruksel herët të mërkurën.
Policia federale, si dhe policia hekurudhore dhe njësi të tjera, kanë bërë thirrje për përforcime në zonë, shkruan A2 CNN.
Zëdhënësja tha se nuk pati të lënduar nga të shtënat. Si policia lokale ashtu edhe policia federale hekurudhore po kontrollojnë zonën.
Stacioni Clémenceau është mbyllur, si dhe stacioni aty pranë Bruksel-Midi, i cili shërben gjithashtu si terminal për trenat e Eurostar.
Dy linjat e metrosë që shërbejnë në qendër të Brukselit janë pezulluar gjithashtu, nga Gare de l'Ouest në Trône, që është afër Parlamentit Evropian. (A2 Televizion)