Putin do fundin e luftës në Ukrainë: Flasim për paqe

Nga Xhevahir Qardaku
27 Dhjetor 2024, 14:21 | Bota

Viti i ri mund të nisë me paqe. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, për herë të parë bëri publike synimet e tij për t’i dhënë fund luftës që nisi në Ukrainë rreth 3 vite më parë. Shefi i Kremlinit ka përzgjedhur Sllovakinë si shtetin që duhet të organizojë bisedimet e paqes, teksa pak ditë më parë priti në zyrë kryeministrin e atij shteti, Robert Fico, shkruan A2 CNN.

“Fico tha se nëse bëhet fjalë për negociata, ai do të ishte i lumtur të ofrojë vendin e tij si platformë për negociata të tilla. Ne nuk jemi kundër, nëse bëhet fjalë për këtë. Pse jo, pasi Sllovakia mban një pozicion kaq neutral, sipas mendimit tonë, ky qëndrim është neutral dhe Sllovakia është një opsion i pranueshëm për ne”, tha Putin.

Sllovakia është një ndër shtetet e Bashkimit Europian më skeptikë për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe kërkon me ngulm negociata me Rusinë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, vazhdimisht ka kritikuar Sllovakinë fqinje, për tonin miqësor që Fico ka përdorur kundrejt Putinit që pas kthimin në pushtet në vitin 2023. Lideri në Kiev nuk ka folur ende lidhur me idenë e bisedimeve për paqe, por kërkon më shumë armë për luftën e rezistencës.

“Falenderoi partnerët tanë për ndihmën, por ritmi i dorëzimit duhet të rritet për të ndërprerë valën e sulmeve ruse”, thekson Zelenski, duke shtuar se vendi i tij ka nevojë për më shumë armatime dhe qëndrime të forta diplomatike. “Është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të sjellin më shumë armë”, nënvizon ai.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos