Putin do zgjedhje në Ukrainë, shpërthim i fuqishëm afër Kremlinit, vritet lideri rus

Nga Xhevahir Qardaku
3 Shkurt 2025, 17:31 | Bota

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një qiellgërvishtëse në zemër të Rusisë. Udhëheqësi i një grupi paraushtarak pro-rus në Ukrainën lindore ka vdekur në spital pasi mbeti i plagosur rëndë nga ngjarja e ndodhur në Moskë të hënën në mëngjes.

Mediat ruse raportojnë se bëhet fjalë për Armen Sargsyan, udhëheqësi i batalionit “Arbat”, ndërsa shpërthimi ka ndodhur vetëm 12 kilometra larg nga Kremlini.

Tass shkruan se bashkë me të ka vdekur dhe një person tjetër dhe disa të tjerë mbetën të plagosur. Ndërkohë, ushtria e Ukrainë ka marrë përsipër një sulm me dronë ndaj një rafinerie nafte në Volgograd dhe një impianti gazi në Astrakhan. Kështu raportojnë mediat në Kiev, që theksojnë se dy kompanitë furnizonin ushtrinë e Rusisë.

Megjithatë ekspertët amerikanë konfirmojnë një humbje të madhe të Ukrainës: vetëm në janar, ushtria e Putinit ka avancuar 430 kilometra në Ukrainë në drejtim të Pokrovsk.

Pavarësisht dëshirës së Shteteve të Bashkuara për paqe, ajo nuk duket askund në horizont. Kremlini kërkon që në Ukrainë të mbahen zgjedhje, pasi pretendon se presidenti Volodymyr Zelensky, nuk ka të drejtë të marrë pjesë në negociatat për paqe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos