"Putin nuk do ndalet me Donbasin", Kallas: Pastaj radhën e ka e tërë Ukraina

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2025, 11:34 | Bota

Donbasi nuk do të jetë fortesa e fundit e Putin. Ky është paralajmërimi që ka bërë Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE, Kaja Kallas. Në një prononcim për mediat, Kallas tha se: "Duhet ta kuptojmë se Donbasi nuk është qëllimi përfundimtar i Putinit. Nëse ai e pushton Donbasin, fortesa shembet dhe pastaj ai me siguri do të vazhdojë me pushtimin e të gjithë Ukrainës. Dhe e dini, nëse Ukraina bie, rajone të tjera janë gjithashtu në rrezik. Ne e dimë këtë nga historia dhe duhet të mësojmë nga historia", tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, me mbërritjen e saj në Këshillin e Punëve të Jashtme.

"Duhet të kemi parasysh se vendet duan të bashkohen me NATO-n sepse nuk duan që Rusia t'i pushtojë ose sulmojë. Dhe kjo është arsyeja pse Suedia dhe Finlanda iu bashkuan NATO-s. Kjo është arsyeja pse shtetet baltike iu bashkuan NATO-s, për të pasur këtë ombrellë mbrojtëse. Tani, nëse kjo nuk është në diskutim, atëherë duhet të shohim se çfarë garancish të prekshme sigurie ekzistojnë. Ato nuk mund të jenë dokumente ose premtime. Ato duhet të jenë trupa të vërteta, aftësi të vërteta që Ukraina të jetë në gjendje të mbrojë veten", shtoi ajo.

Reagimi i Kallas vjen kur Zelenskyy ka braktisur qëllimin e vendit të tij për t'u bashkuar me NATO-n. Garancitë e sigurisë nga SHBA-të, si dhe nga partnerët evropianë dhe të tjerë, janë një kompromis, shpjegoi Zelenskyy në një bisedë në WhatsApp me gazetarët të dielën në mbrëmje. "Që nga fillimi, ishte dëshira e Ukrainës të bashkohej me NATO-n, sepse këto janë garanci të vërteta sigurie." Megjithatë, "disa partnerë nga SHBA-të dhe Evropa nuk e mbështetën këtë rrugë."

Sakaq, Ministria Ruse e Mbrojtjes tha të hënën se njësitë e saj të mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar 130 dronë ukrainas gjatë natës, 15 prej të cilëve ishin drejtuar për në Moskë.

Sergei Sobyanin, kryetari i bashkisë së Moskës, tha se katër dronë të tjerë ukrainas që ishin në rrugë drejt kryeqytetit ishin rrëzuar të hënën në mëngjes dhe se shërbimet e emergjencës ishin në vendngjarje.

Forcat ukrainase dërgojnë periodikisht dronë drejt kryeqytetit rus, të cilët shpesh prishin punën e aeroporteve të kryeqytetit.

Rosaviatsia, mbikëqyrësi rus i aviacionit, tha se aeroportet Domodedovo dhe Zhukovsky të Moskës ishin detyruar të pezullonin operacionet e tyre së bashku me një numër aeroportesh të tjera ruse në jug të vendit.

Yuri Slyusar, guvernator i rajonit jugor të Rostovit, tha se një linjë energjie ishte dëmtuar si rezultat i një sulmi me dron gjatë natës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos