Tirana Gate Festival, 13 autorë të huaj prezantojnë veprat në kryeqytet

Nga Luela Myftari
7 Tetor 2026, 15:48 | Kulturë

Kur flet heshtja dhe Letërsia tejkalon kufijtë, sfidohen narrativat dhe rikthehen zërat e përjashtuar. Këtë premtojë sjellë festivali Letrar Ndërkombëtar për të rinjtë. Drejtoresha e festivalit tregon se eventi e vendos letërsinë në qendër të një dialogu mbi atë që thuhet, atë që heshtet dhe historitë që kërkojnë të dëgjohen.

“Marrin pjesë rreth 50 autorë dhe përkthyes, kryesisht shqiptarë, por sigurisht që aty midis tyre janë dhe 13 autorë të huaj që vijnë nga vende të ndryshme. Ky festival siç dhe ju e thatë është edicioni 12, ka gjashtë vite që është i formatit ndërkombëtar dhe është momenti i vetëm i vitit gjatë tetorit të letërsisë në këto tri ditë ku diskutohet për letërsinë në gjuhë të ndryshme”, tha Irena Toçi, Tirana Gate 2026.

Një risi e këtij edicioni, do të jenë edhe 6 takime me autorë të huaj që të ftuar në festival do të mund të prezantojnë edhe librat e tyre të rinj të përkthyer tanimë në shqip.

Tre botues do t’i bashkohen aktiviteteve të edicionit të 12-të të këtij Festivali, ndërsa bekimin për këtë ngjarje artistike e festivali e ka pasur edhe nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

“Çfarë thonë shkrimtarët vetë për atë që shkruajnë? Çfarë thonë lexuesit për atë që lexojnë? A ka përputhje apo ka përplasje? Pikërisht festivale si ky, si stacione takimi mes shkrimtarëve nga njëra anë dhe shkrimtarëve dhe lexuesve nga ana tjetër janë mënyrat për të bërë ballafaqime për sa më sipër”, tha Arta Marku, nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Festivalit Letrar Ndërkombëtar për të Rinj Tirana Gate mbahet më 7, 8 dhe 9 tetor në Vilën 31 dhe organizohet nga Instituti i Librit dhe i Promocionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos