Putin nuk e tremb lidershipin europian, Britania gati të dërgojë trupa në Ukrainë

Nga A2 CNN
17 Mars 2025, 21:37 | Bota

Putin nuk e tremb lidershipin europian, Britania gati të dërgojë

Vladimir Putin duket se nuk i tremb europianët. Pas insistimit të vazhdueshëm të Emmanuel Macron për të çuar përpara idenë e dërgimit të trupave në Ukrainë, edhe kryeministri britanik, Keir Starmer ka shprehur të tillë gatishmëri.

Sipas kreut të Downing Street, Londra është e gatshme që të vendosë në Ukrainë trupa ushtarake që do të operojnë për një periudhë të gjatë, për të mbështetur një armëpushim të mundshëm dhe për të parandaluar pushtimin e mëtejshëm të Rusisë.

Një burim nga qeveria britanike i tha “The Times” se vendosja e forcave të udhëhequra nga Britania e Madhe do të ishte e pacaktuar në afate.

“Do të ishte një angazhim afatgjatë, ne po flasim për vite. Për aq kohë sa duhet për të ruajtur një marrëveshje paqeje dhe për të penguar Rusinë”, tha burimi për median angleze.

Putin nuk e tremb lidershipin europian, Britania gati të dërgojë

Udhëheqësit e mbrojtjes nga koalicioni i vullnetarëve do të takohen në Londër të enjten, për të diskutuar se ku duhet të vendosen forcat paqeruajtëse, ndërsa dhjetëra vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Francën, Turqinë, Kanadanë dhe Australinë, po diskutojnë planet për të dërguar deri në 30,000 trupa në Ukrainë.

Vendet e tjera janë të përgatitura të ofrojnë armë dhe mbështetje logjistike. Megjithatë, aktualisht është e paqartë nëse forcat paqeruajtëse do të autorizohen të hapin zjarr ndaj ushtarëve rusë, në rast agresioni.

Sipas “The Times”, rregullat e përfshirjes ka të ngjarë të diskutohen në ditët në vijim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos