Putini lëshon Poseidonin, “bisha nënujore” që shkakton tsunami bërthamor

Nga Rosalba Bejdo
29 Tetor 2025, 22:14 | Bota

Rusia ka kryer me sukses një test të ri të një droni nënujor me fuqi bërthamore dhe të aftë për të mbajtur armë bërthamore. Ishte presidenti Putin që e bërë një njoftim të tillë, vetëm tre ditë pasi i bëri të ditur botës se kishte testuar me sukses rakete tëre me fuqi bërthamore.

Ky duket të jetë një tjetër mesazh për presidentin amerikan Donald Trump se Rusia qëndron e vendosur në kërkesat e saj maksimale ndaj Ukrainës. Duke folur në një takim me ushtarë të plagosur në Ukrainë, Putin tha se droni Poseidon ishte i pashoq për nga shpejtësia dhe thellësia e veprimit. Ai tha se reaktori bërthamor që fuqizon Poseidonin është “100 herë më i vogël” se ata në nëndetëse, dhe fuqia e mbushjes së tij bërthamore është “shumë më e madhe se ajo e raketës më të avancuar ndërkontinentale të Rusisë, Sarmat.”

Putin e përmendi për herë të parë këtë dron nënujor me fuqi bërthamore në fjalimin e tij për gjendjen e kombit në vitin 2018, së bashku me armë të tjera të reja të mundshme. Mediat ruse raportuan se Poseidon ishte projektuar të shpërthente pranë brigjeve dhe të shkaktonte një cunam radioaktiv shkatërrues.

“Për herë të parë, arritëm jo vetëm ta lëshonim atë nga nëndetësja mbartëse, por edhe të aktivizonim njësinë e saj bërthamore, duke i lejuar mjetit të operojë për një periudhë të caktuar kohe. Sa i përket shpejtësisë dhe thellësisë së funksionimit, nuk ka asgjë të ngjashme me këtë mjet pa pilot në botë, dhe gjasat që të ketë diçka të tillë në të ardhmen e afërt janë të vogla. Dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta ndaluar atë.”

Sipas mediave ruse, Poseidon është projektuar të udhëtojë me shpejtësi deri në 200 km/h shumë më shpejt se çdo torpedo apo anije lufte ekzistuese. Falë energjisë bërthamore që i jep rreze veprimi të pakufizuar, shpejtësia dhe thellësia e dronit e bëjnë të vështirë për armikun ta zbulojë. Putin zbuloi gjithashtu detaje të reja për raketën lundruese Burevestnik, duke thënë se reaktori i saj bërthamor është “1,000 herë më i vogël” se ai i një nëndetëseje dhe vihet në punë për disa minuta, ndryshe nga reaktori i nëndetëses që kërkon orë për t’u aktivizuar.

Ai e përshkroi projektimin e motorit të vogël bërthamor që e fuqizon raketën si një arritje të madhe inxhinierike. Burevestnik, që do të thotë “shpend stuhie” në rusisht, është raketa e parë në botë me shtytje bërthamore. Ky sistem shtytës i jep asaj rreze veprimi pothuajse të pakufizuar, duke i lejuar të qëndrojë për ditë të tëra në ajër, të qarkullojë rreth mbrojtjeve të armikut dhe të sulmojë nga një drejtim i papritur. Putin i ka përshkruar Burevestnikun dhe Poseidonin si pjesë të përgjigjes së Rusisë ndaj mburojës raketore amerikane, që Uashingtoni zhvilloi pas tërheqjes së tij në vitin 2001 nga një marrëveshje e epokës së Luftës së Ftohtë që kufizonte mbrojtjet raketore.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos