Rio de Janeiro është zhytur në kaos pas një operacioni masiv antidrogë që ka rezultuar me mbi 100 të vdekur, por vetëm 64 vdekje janë të konfirmuara deri më tani nga autoritete, duke përfshirë katër oficerë policie. Operacioni më i përgjakshëm u zhvillua në favelat e Alemão dhe Penha, dhe synonte rrjetin kriminal Comando Vermelho (Komanda e Kuqe), fraksioni më i fuqishëm i trafikut të drogës në qytet. Mbi 2,500 forca policore u angazhuan në aksionin më vdekjeprurës në historinë e shtetit, i cili shndërroi rrugët e Rios në një fushë beteje të vërtetë.
Kriminelët reaguan me dhunë ekstreme, duke përdorur dronë të armatosur me granata, pushkë sulmi dhe autobusë të rrëmbyer për të bllokuar rrugët. Shpërthime dhe shkëmbime zjarri me qindra fishekë në minutë u dëgjuan gjatë gjithë ditës, ndërsa banorët e favelave u detyruan të fshiheshin nëpër shtëpi. Sipas mediave braziliane, shumë trupa janë gjetur me plagë në pjesën e pasme të kokës, duke ngritur dyshime për ekzekutime.
Guvernatori Cláudio Castro, aleat i ish-presidentit Bolsonaro, e përshkroi operacionin si “luftë kundër narko-terroristëve”, ndërsa kërkoi ndihmë nga qeveria federale. Presidenti në detyrë Geraldo Alckmin thirri një mbledhje urgjente në Pallatin Planalto për të diskutuar ndërhyrjen ushtarake.
Ndërkohë, Rio de Janeiro është paralizuar, 45 shkolla të mbyllura, transporti publik në kaos, fluturime të pezulluara dhe mijëra qytetarë të bllokuar në rrugë.
Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa drejtuesi i Comando Vermelho, Edgar Alves Andrade (Doca da Penha), mbetet ende i lirë. (A2 Televizion)
