Përgatituni që çmimi i naftës do të arrijë në 200 dollarë për fuçi. Është paralajmërim që Irani i bën botës, teksa forcat e veta sulmuan anije tregtare gjatë së mërkurës në gjirin e bllokuar, persik. Teherani goditi gjithashtu Izraelin dhe objektiva rreth lindjes së mesme, duke treguar se është ende në gjendje të kundërgjigjet fort, pavarësisht asaj që Pentagoni e cilësoi si valën më intensive të sulmeve izraelito-amerikane deri më tani. Autoritetet iraniane e bënë të qartë këtë të mërkurë se synojnë t’i shkaktojnë botës një tronditje të zgjatur ekonomike, ndërsa lufta vazhdon. Po ashtu një zëdhënës paralajmëroi se në shënjestër të sulmeve të tyre do të jenë edhe bankat që bëjnë biznes me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Njerëzit në Lindjen e Mesme duhet të qëndrojnë 1 mijë metra larg bankave, kërcënon Irani.
“Strategjia juaj për t’u fshehur pas vendeve fqinje të Iranit në rajonin islamik dhe mysliman të Azisë Perëndimore—dhe madje në mbarë botënka marrë fund. Taktika e ushtrisë suaj frikacake për t’u fshehur në zona civile dhe në infrastrukturën e vendeve të rajonit nuk do t’i shpëtojë forcat tuaja nga balta ku keni rënë. Qendrat dhe bazat tuaja jetike do të digjen njëra pas tjetrës në zjarrin që ju vetë keni ndezurdhe kjo do të ndodhë përsëri dhe përsëri. Nuk do të mund t’i mbani çmimet e naftës dhe energjisë artificialisht të ulëta përmes një ‘mbështetjeje jetike’ ekonomike. Siç kemi paralajmëruar më parë, nëse lufta përhapet në të gjithë rajonin, prisni që nafta të arrijë në 200 dollarë për fuçi. Çmimet e naftës ndjekin nivelin e sigurisë në rajon dhe burimi i kësaj pasigurie jeni ju.”, tha Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës i komandës ushtarake iraniane.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili është përpjekur vazhdimisht të sigurojë tregjet këtë javë se fushata ushtarake do të mbyllet shpejt, tha në një intervistë telefonike për Axios se praktikisht nuk ka mbetur asgjë për tu shënjestruar në Iran. “Mund t’i jap fund në çdo moment, nëse dua që të mbarojë”, ishin fjalët e Trump.
Tregjet reaguan pozitivisht ndaj deklaratave të tij, me çmimin e naftës që ra ndjeshëm në bursë pas rritjes më të lartë që prej 2022, në 119 dollarë për fuçi. Por deri më tani, nga terreni nuk ka asnjë sinjal se anijet mund të lundrojnë në mënyrë të sigurt në ngushticën e Hormuzit, ku 1/5 e naftës në botë ka mbetur e bllokuar përtej një kanali të ngushtë përgjatë bregdetit iranian.
Garda Revolucionare tha se forcat iraniane kishin sulmuar dy anije në gjirin, të cilat nuk u ishin bindur urdhërave të tyre. Një transportues i madh me flamur intajalandez mori flakë, duke detyruar evakuimin e ekuipazhit, me 3 persona që u shpallën të humbur. Sulmet e reja e cojnë në 14 numrin e anijeve të goditura që prej fillimit të luftës.
Një zyrtar i lartë izraelit tha për Reuters se Izraeli ka pranuar se sistemi iranian mund t’i mbijetojë luftës, ndërsa dy të tjerë pohuan se nuk ka sinjale se Uashingtoni ishte pranë fundit të fushatës. Edhe pse Amerika paralajmëroi valën më të fortë të sulmeve ndaj Iranit të martën, ishte Irani ai që lëshoi një sërë raketash duke goditur asete amerikane në rajon, përfshirë një bazë në veri të Irakut. Shpërthime tronditën Bahreinin, ndërsa në Dubai pati 4 të plagosur nga 2 dronë që ranë pranë aeroportit.
(A2 Televizion)