Reprezalja e Trump, ish-drejtoi i FBI Comey rrezikon deri në 5 vite burg

Nga Rosalba Bejdo
26 Shtator 2025, 15:41 | Bota

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ngriti zyrtarisht aktakuzë kriminale kundër ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, në një përshkallëzim dramatik të reprezaljes së Donald Trump kundër armiqve të tij politikë. Një juri federale e ngarkoi atë me dy akuza, për deklarata të rreme dhe pengim të procedurave të Kongresit gjatë dëshmisë së tij para një komisioni të Senatit në vitin 2020.

Comey, i cili për një kohë të gjatë ka qenë në shënjestër të kritikave të presidentit amerikan Donald Trump, akuzohet se ka gënjyer Kongresin, duke mohuar autorizimin e rrjedhjes së informacioneve të klasifikuara të FBI-së për mediat.

Duke ju përgjigjur aktakuzës, Comey u deklarua i pafajshëm dhe tha se kishte besim të plotë në sistemin e drejtësisë amerikane: “Zemra ime është e thyer për Departamentin e Drejtësisë, por kam besim të madh në sistemin gjyqësor federal. Jam i pafajshëm. Pra, le të bëjmë një gjyq dhe të ruajmë besimin”.

Lëvizja vjen pak ditë pasi Trump i bëri presion prokurores së përgjithshme, Pam Bondi, të hetojë në mënyrë më agresive kundërshtarët e tij politikë, përfshirë Comey. Bondi tha në një deklaratë se aktakuza reflektonte angazhimin e Departamentit të Drejtësisë për të mbajtur përgjegjës ata që kanë abuzuar me pushtetin.

Trump prej kohësh ka kërcënuar të burgosë rivalët politikë, por aktakuza e së enjtes shënon herën e parë që administrata e tij ka sukses në sigurimin e ngritjes së akuzave nga një juri e madhe federale për njërin prej tyre.

Në një postim në rrjetet sociale pas lajmit, presidenti amerikan shkroi se më në fund, do të kishte drejtësi në SHBA.

Republikani e shkarkoi Comey në vitin 2017, në fillimet e mandatit të tij të parë, dhe shpesh e akuzonte për zbulimin e informacioneve të klasifikuara që detajonin kontaktet e tij me rusët në fushatën për zgjedhjet e vitit 2016.

Nëse shpallet fajtor, Comey rrezikon deri në 5 vite burg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos